Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

Kushtetuesja pranon kërkesën e Berishës, Gjykata e Lartë do të shqyrtojë “detyrimin e paraqitjes” për “Partizanin”

Shkruar nga Newsbomb
Kushtetuesja pranon kërkesën e Berishës, Gjykata e Lartë do
Sali Berisha dhe SPAK

Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht kërkesën e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha për shfuqizimin e masës “detyrim paraqitje”.

Përmes një njoftimi të ndarë për mediat, mësohet se Kushtetuesja ka bërë me dije se Gjykata e Lartë nuk i është përgjigjur pretendimeve, ndaj çështja e masës së sigurisë ndaj liderit demokrat në sajë të dosjes “Partizani” do të rikthehet për shqyrtim.

Në këto kushte, Gjykata e Lartë duhet të shqyrtojë sërish çështjen, duke marrë parasysh vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese mbi arsyetimin e nevojës dhe përshtatshmërisë së masës.

NJOFTIM VENDIMMARRJEJE

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë (Gjykata), në datën 08.10.2026, mori në shqyrtim në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve çështjen me kërkues Sali Berisha, me objekt: “Shfuqizimi i vendimeve nr. 1 (87-2025-1), datë 03.01.2025 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe nr. 00-2025-658, datë 22.04.2025 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”.

Gjykata, e mbledhur sot në datën 09.10.2026, pasi mori në shqyrtim pretendimet dhe prapësimet e palëve, në mënyrë të përmbledhur, vlerësoi:

–        Të shqyrtojë çështjen në drejtim të lirisë së lëvizjes të lidhur me të drejtën e aksesit dhe standardin e arsyetimit të vendimit. Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata çmoi se masa e sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” ndërhyn në lirinë e lëvizjes të garantuar nga neni 38 i Kushtetutës dhe, për rrjedhojë, duke u bazuar në arsyetimin e gjykatave, konstatoi se Gjykata e Lartë nuk i ka dhënë përgjigje pretendimeve për nevojën dhe përshtatshmërinë e masës;

–        Se pretendimet e tjera për cenimin e së drejtës për proces të rregullt ligjor kanë marrë përgjigje nga gjykatat e juridiksionit të zakonshëm, arsyetimi i të cilave nuk u gjet arbitrar dhe i pamjaftueshëm në aspektin kushtetues.

Në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështjeje, Gjykata, me shumicë votash, vendosi:

Pranimin pjesërisht të kërkesës.

Shfuqizimin e vendimit nr. 00-2025-658, datë 22.04.2025 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Dërgimin e çështjes për shqyrtim në Gjykatën e Lartë.

Shpenzimet e përfaqësimit për kërkuesin në vlerën 60.000 lekë i ngarkohen Ministrisë së Financave.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

Ditën e djeshme, tetë gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese u mblodhën për të shqyrtuar kërkesën e Berishës lidhur me masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”. Burime për mediat bëjnë me dije se seanca u zhvillua me dyer të mbyllura.

Mirëpo vendimi nuk nënkupton se është hequr masa e sigurisë për Berishën. Pritet që Gjykata e Lartë ta shqyrtojë, që në vijim të shikohet se si do të procedohet me kryedemokratin.

Më 27 nëntor 2024 Gjykata e Posaçme e Apelit i hoqi ish-kryeministrit Sali Berisha arrestin shtëpiak, masë e cila ishte në fuqi që prej 30 dhjetorit të vitit 2023.

Ndërkohë më 3 janar të 2025, Apeli i Posaçëm me vendim të gjyqtarit Engert Pëllumbi riktheu për ish-kryeministrin masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Berisha e cilësoi këtë vendim si një përpjekje të dështuar të qeverisë dhe SPAK me qëllim justifikimin e veprës së tyre.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese