Lifestyle

“Esëll, por të sëmurë”: Ekspertët paralajmërojnë se Gen Z rrezikon të bëhet brezi i lënë pas dore!

Brezi Gen Z rrezikon të kthehet në “brezin e lënë pas dore” për sa i përket shëndetit dhe mirëqenies, paralajmërojnë ekspertët britanikë. Ndonëse të rinjtë e sotëm konsumojnë më pak alkool, duhan dhe substanca të tjera krahasuar me brezat e mëparshëm, problemet me obezitetin dhe shëndetin mendor po shkaktojnë shqetësim. Sipas një raporti të organizatës kërkimore shëndetësore The King’s Fund, një tjetër problem është se të rinjtë mund të ngurrojnë të kërkojnë ndihmë nga Shërbimi Shëndetësor Kombëtar britanik (NHS), ndërsa shërbimet shëndetësore po hasin vështirësi për t’iu përgjigjur kërkesës në rritje.

Qeveria britanike ka deklaruar synimin për të krijuar “brezin më të shëndetshëm të fëmijëve ndonjëherë”. Megjithatë, ekspertët theksojnë se vëmendja ndaj shëndetit të brezit më të ri, Gen Alpha, nuk duhet të bëjë që problemet e Gen Z të mbeten në hije. Danielle Jefferies, analiste në The King’s Fund, vëren se disa tregues shëndetësorë kanë shënuar përmirësime afatgjata, veçanërisht sa i përket konsumit të alkoolit dhe duhanit.

Por tabloja nuk është pozitive në çdo aspekt. Përqindja e personave obezë të moshës 16–24 vjeç është rritur nga 31% në vitin 2002 në 37% në vitin 2022. Shqetësuese është edhe gjendja e shëndetit mendor. Sipas raportit, përqindja e të rinjve 17–19 vjeç që ka gjasa të kenë një çrregullim mendor është më shumë se dyfishuar, nga 10% në vitin 2017 në 23% në vitin 2023. Raporti thekson se shumë të rinj po hasin vështirësi për të marrë ndihmë për problemet e shëndetit mendor ose aftësisë së kufizuar, pasi shërbimet nuk janë zgjeruar në të njëjtin ritëm me nevojat. Ekspertët paralajmërojnë se ulja e konsumit të substancave të dëmshme nuk mjafton për të garantuar një brez më të shëndetshëm. Përmirësimi i shëndetit mendor, parandalimi i obezitetit dhe qasja në kohë te shërbimet shëndetësore mbeten thelbësore që Gen Z të mos mbetet pas.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.