Petrit Malaj dhe Denion Meidani do të bëjnë një rrokadë diplomatike pasi do të marrin detyrat e njëri-tjetrit, pas prezantimeve që kanë bërë këtë të premte në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme, në Kuvendin e Shqipërisë.
Ata kanë zhvilluar dëgjesat përpara deputetëve dhe kanë premtuar se gjatë detyrës aktuale dhe asaj që pritet të marrin, kanë prioritar interesin më të lartë të shqiptarëve.
"Detyra si ambasador i Shqipërisë në Kosovë ka qenë përvojë e veçantë dhe e rëndësishme, kam pasur fatin të punoj për thellimin e marrëdhënieve politike dhe njerëzore. Përvoja më ka mësuar qartë se nuk kërkohet vetëm diplomaci, por edhe besim, pari dhe punë konkrete.
Një Maqedoni e Veriut më demokratike dhe europiane është në interes të shqiptareve, maqedonasve dhe gjithë rajonit. Marrëdhënia të forta shtetërore, priortiteti im i parë i këtij mandati do të jetë forcimi i marrëdhënieve politike dhe institucionale midis dy vendeve.
Unë do të synoj vendosjen e një formati komunikimi të rregullt me Ministrinë për Punët e Jashtme dhe Tregtinë e Jashtme në Maqedoninë e Veriut, sikurse me institucionet e tjera shtetërore, partitë politike, institucionet e drejtësisë dhe botën akademike”, është shprehur ambasadori Petrit Malaj.
Aktualisht, ai shërben si kreu i diplomacisë shqiptare në Kosovë dhe pas vendimit të ministrit Ferit Hoxha, pritet të shkojë ambasador në Maqedoninë e Veriut, në Shkup, ku aktualisht i emëruar është Denion Meidani. Ky i fundit, pritet të shkojë në Prishtinë.
"Ju falënderoj për mundësinë për të paraqitur kandidaturën time si Ambasador i Shqipërisë në Kosovë. E pranoj këtë përgjegjësi, sepse është një urë e rëndësishme mes dy shteteve të një kombi.
Në pranverë 1999 kur Kosova po vuante, babai im, Rexhep Meidani premtoi se Shqipëria do të mbetej e hapur. Kosova në ato ditë për familjen tonë ishte më shumë se politikë. Për mua tashmë është një nder i madh, mbaj me vete ADN e babait tim”, është shprehur ambasadori Denion Meidani.
