Udhëtime nëpër botë, një shtëpi pushimi jashtë vendit, lundrime me anije turistike dhe madje shkrimi i kujtimeve personale. Këto janë disa nga planet e brezit Gen Z për vitet e pensionit, sipas një studimi që përfshiu 2,000 të rritur në marrëdhënie pune. Sipas hulumtimit, 27% e të rinjve të këtij brezi preferojnë t’i investojnë kursimet e pensionit në përvoja dhe eksperienca jetësore, në vend të blerjes së sendeve materiale. Ndërkohë, 16% ëndërrojnë të zhvendosen jashtë vendit kur të arrijnë moshën e pensionit.
Rreth një e treta e të anketuarve planifikojnë të merren me një hobi krejtësisht të ri, siç është qeramika. Për 22% të tyre, ky pasion mund të shndërrohet edhe në një burim shtesë të ardhurash. Po aq, 22%, e imagjinojnë pensionin të mbushur me udhëtime me anije turistike. Megjithatë, pas këtyre planeve ambicioze fshihet një problem shqetësues: 33% e pjesëmarrësve nuk e dinë se sa para kontribuojnë çdo muaj në fondin e tyre të pensionit.
“Shumë prej tyre po ecin drejt së ardhmes pa e ditur se çfarë i pret. Këta të rinj duhet të kuptojnë se ëndrrat e tyre nuk do të realizohen pa veprime të planifikuara dhe të menduara mirë”, deklaroi anëtarja e studimit, Helen McGinty.
McGinty theksoi se planifikimi i hershëm mund të bëjë një ndryshim të madh, duke u dhënë njerëzve më shumë mundësi dhe liri financiare në të ardhmen. Një tjetër rezultat interesant i studimit është se Gen Z synon të dalë në pension në moshën 60-vjeçare, më herët se çdo brez tjetër i përfshirë në hulumtim. Por, për të realizuar këto ëndrra, kursimi dhe planifikimi financiar që në moshë të re mbeten vendimtarë.