Në vijim të përplasjeve në emisionin “Minuta e Parë” , Agron Tare ka dhënë detaje të reja mbi zanafillën e njohjes mes vëllait të tij, ish-futbollistit Igli Tare, dhe ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, si dhe ka reaguar për hetimet e SPAK-ut mbi sekuestrimin e dy vilave.
Agron Tare konfirmoi lidhjen e hershme familjare dhe shoqërore, duke u kthyer prapa në vitet e gjimnazit.
“Igli Tare është njohur me Belinda Ballukun në gjimnazin ‘Qemal Stafa’. Kemi pasur një miqësi familjare. Prindërit e Ballukut kanë qenë të internuar, ajo është rritur te gjyshja. Babai im kur janë njohur nuk ka qenë entuziast sepse për këto gjëra të ndodhte çudia atëherë. Marrëdhënia e Igli Tares dhe Belinda Ballukut ka qenë shumë e afërt,” u shpreh ai.
Lidhur me hetimet e Prokurorisë së Posaçme për dy vilat e sekuestruara në emër të Igli Tares, Agron Tare theksoi se burimi i të me ardhurave të vëllait të tij është plotësisht i justifikuar nga karriera e tij shumëvjeçare në futbollin evropian.
“Igli Tare ka blerë dy vila. Nuk besoj se ka shqiptar të vendosë në dyshim burimin e të ardhurave të Igli Tares, se ka 20 e ca vite që ka një pagë vjetore rreth 1 milion euro. Vepra që akuzohet lidhet me atë nëse burimi i të ardhurave justifikohet, por burimi i të ardhurave të tij justifikohet plotësisht,” deklaroi Agron Tare.











