AKTUALITET /

Itali/ Dy punëtorë shqiptarë humbën jetën vjet në aksident, familjet dëmshpërblehen me 2 milionë euro

Aksidenti ndodhi mëngjesin e 30 majit 2025, rreth orës 06:30, teksa katër punëtorë po udhëtonin drejt një kantieri ndërtimi me automjetin e kompanisë.

Shkruar nga Versus

Itali/ Dy punëtorë shqiptarë humbën jetën vjet në

Familjet e dy punëtorëve me origjinë nga Kosova, të cilët humbën jetën në një aksident tragjik në autostradën A22 në Itali, do të përfitojnë 2 milionë euro dëmshpërblim. Shuma do të paguhet nga kompania e sigurimeve të furgonit të regjistruar në emër të kompanisë ku punonin të rinjtë.

Aksidenti ndodhi mëngjesin e 30 majit 2025, rreth orës 06:30, teksa katër punëtorë po udhëtonin drejt një kantieri ndërtimi me automjetin e kompanisë.

Në segmentin e autostradës A22, mes Bressanones dhe Chiusa-s, furgoni u përplas me disa kamionë. Sipas rindërtimit të ngjarjes, drejtuesi i automjetit po parakalonte disa mjete të rënda dhe, gjatë rikthimit në korsinë e tij, nuk arriti të dallonte një kolonë kamionësh që lëviznin ngadalë.

Pavarësisht përpjekjes për të shmangur përplasjen, furgoni goditi kamionët. Dy punëtorët, të cilët ndodheshin në anën e djathtë të automjetit, njëri në sediljen e pasagjerit dhe tjetri në sediljen e pasme, mbetën të bllokuar në rrënoja dhe humbën jetën në vendngjarje. Dy personat e tjerë, përfshirë drejtuesin e furgonit, mbetën të plagosur, por jo rëndë.

Viktimat janë Valdrin Xhyliqi, banor i Bronzolos, dhe Driton Sadikaj, nga Bolzano. Të dy jetonin prej kohësh në Itali dhe punonin në sektorin e ndërtimit.

Dëmshpërblimi prej 2 milionë eurosh përfundon procesin e kompensimit të familjeve për humbjen e të afërmve, pas rreth një viti e gjysmë nga aksidenti tragjik./Versus.al

Poll