Pasditen e kësaj të premteje kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se javën e ardhshme do të ngrihet Ministria e Administratës Publike, në krye të të cilës do të jetë ministrja Adea Pirdeni, e cila aktualisht është ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Anti-Korrupsionin.
Në takimin e mbajtur pasditen e sotme ku u prezantua platforma “Shkalla e Meritës”, Rama bëri me dije se do të krijohet ministria në fjalë përmes së cilave do të zgjerohet gama e detyrave në mënyrë që të përmirësohet akoma më shumë shteti europian i shqiptarëve.
“Do të krijojmë javën e ardhshme Ministrinë e Administratës Publike, pikërisht se tanimë tema e administratës publike është një temë shumë qendore e punës së qeverisë dhe e shtetbërjes së mëtejshme europiane të Shqipërisë.
Është nevoja që përmes kësaj ministrie që e kanë shumë vende të tjera europiane, ne të zgjerojmë gamën e detyrave, punëve e ambicieve për të ngritur më lart shtetin europian të shqiptarëve. Nuk diskutohet që Ministrinë e Administratës Publike mund ta drejtojë dhe ta çojë përpara vetëm ministrja e Shtetit për Administratën Publike, Adea Pirdeni.“, tha Rama.
