Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Kulture & Art

Valles që i fali jetën, Osman Taka i dha emrin

Shkruar nga Newsbomb
Valles që i fali jetën, Osman Taka i dha emrin
Ilustrim i valles së Osman Takës/ © Sabit Bocku

Nga Thoma Nika

Është i njohur fakti historik që kërcimi i një valleje, si dëshirë e fundit para ekzekutimit, mjaftoi që të akuzuarit për aktivitet kundër Perandorisë Osmane, Osman Taka, t'i shpëtojë dënimit me vdekje. Kjo ndodhi 140 vite më parë. E asaj që i fali jetën, ai i dha emrin, duke udhëtuar ky krijim artistik virtuoz me vulën Vallja e Osman Takës.

Ndërsa 140 vjet më vonë, një ditë më parë, Vallja e Osman Takës hyri në listën e Trashëgimisë së vlerave Jomateriale Shqiptare.

Zyrtarizimi ka ardhur pas vendimit të marrë në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale dhe Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit.

"Ky është një lajm i madh dhe i shumëpritur për Bashkinë Konispol dhe gjithë shqiptarët e Çamërisë, pasi Vallja e Osman Takës është shumë më tepër se një krijim artistik. Ajo është pjesë e identitetit, kujtesës dhe trashëgimisë kulturore të Konispolit dhe një nga shprehjet më të veçanta të pasurisë sonë shpirtërore e folklorike", u  shkruajt dje në faqen e Bashkisë Konispol.

Ndërsa dita e parë e këtij vlerësimi të shumëpërgatitur dhe të shumëpritur, dy nga protagonistët e kësaj valleje i gjeti duke udhëtuar drejt Festivalit të Maqedonisë së Veriut, ku do të çojnë edhe vallen e ndërkombëtarizuar prej kohësh.

Sali Nuredini tregon nga e mori ngacmimin për të përgatitur dosjen e pranimit të valles si pasuri e Trashëgimisë Shqiptare dhe si mblodhi firmat e nevojshme nga personalitete të fushës e jo vetëm.

Ndërsa Vullnet Dine e ka të pamundur të mbajë mend se në sa skena festivalesh ai ka qenë dhe mbetet mbajtës i korifeut të valles së Osman Takës.

Për dekada të tëra, të paktën prej vitit 1978, heqës i valles së Osman Takës ka qenë virtuozi Taip Madani, i ndarë nga jeta vite më parë. Ndërkohë që kjo valle ka intriguar kineastë që e kanë bërë atë pjesë të tre filmave shqiptarë të kohës së Kinostudios "Shqipëria e Re".

E rëndësishme është që virtuozë të tjerë nga Bashkia e Konispolit, mbajnë gjallë e i japin zjarr valles së Osman Takës në skenat shqiptare. Kohë më parë ajo u hodh në sallën e Parlamentit Shqiptar. Dhe vazhdon të udhëtojë nëpër skenat e botës.

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese