POLITIKË /

Rama njofton krijimin e Ministrisë së Administratës Publike, do të drejtohet nga Adea Pirdeni

Njoftimi u bë gjatë prezantimit të “Shkallës së Meritës”, ku Rama theksoi rëndësinë e administratës publike në funksionimin e shtetit dhe në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Shkruar nga Versus

Rama njofton krijimin e Ministrisë së Administratës Publike, do

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar krijimin e Ministrisë së Administratës Publike javën e ardhshme. Ministria e re do të drejtohet nga Adea Pirdeni, aktualisht ministre e Shtetit për Administratën Publike.

Njoftimi u bë gjatë prezantimit të “Shkallës së Meritës”, ku Rama theksoi rëndësinë e administratës publike në funksionimin e shtetit dhe në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

“Do të krijojmë javën e ardhshme Ministrinë e Administratës Publike, pikërisht sepse tanimë tema e administratës publike është një temë shumë qendrore e punës së qeverisë, por është një temë shumë qendrore edhe e shtetbërjes më të mëtejshme evropiane të Shqipërisë”, u shpreh kryeministri.

Sipas tij, krijimi i ministrisë synon të zgjerojë fushën e përgjegjësive dhe të rrisë ambiciet për zhvillimin e administratës shtetërore, duke ndjekur modele të aplikuara edhe në vende të tjera evropiane.

Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal edhe te rëndësia e meritës në administratën publike, duke e cilësuar atë si element kyç për motivimin e punonjësve dhe forcimin e lidhjes së tyre me institucionet ku punojnë.

“Merita është thelbi për të cilin të gjithë së bashku duhet të punojmë pa ndërprerë dhe duhet të jemi të fokusuar”, deklaroi ai.

Kryeministri vlerësoi gjithashtu punën e Adea Pirdenit dhe shprehu besimin se ministria e re do të shërbejë si model për një administratë publike të mbështetur te profesionalizmi dhe merita./Versus.al

Poll