Pentagoni ka njoftuar se ekzekutimi i ish-majorit të ushtrisë amerikane, Nidal Hasan, i dënuar për vrasjen e 13 ushtarëve të paarmatosur në bazën Fort Hood në vitin 2009, mund të transmetohet drejtpërdrejt për publikun.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se Hasan do të ekzekutohet me pushkatim, ndërsa ekzekutimi është planifikuar për 3 dhjetor në Teksas. Ai tha gjithashtu se do të sigurohet që njerëzit ta shohin ekzekutimin.
Do të sigurohemi që njerëzit të kenë mundësi ta shohin ekzekutimin, që ai të zhvillohet publikisht”. tha Hegseth.
Nëse realizohet, ky do të ishte ekzekutimi i parë ushtarak me pushkatim në Shtetet e Bashkuara që nga Lufta e Dytë Botërore dhe transmetimi i parë i këtij lloji drejtpërdrejt për publikun në gati një shekull.
Vendimi ka shkaktuar polemika të forta, me senatorin demokrat Chris Murphy që e cilësoi idenë e transmetimit si të neveritshme, ndërsa ekspertë ligjorë paralajmërojnë për pikëpyetje serioze mbi ligjshmërinë e saj.
Ish-ushtari Alonzo Lunsford, i cili u qëllua shtatë herë gjatë sulmit, mbështet ekzekutimin, por shpreh shqetësim se çfarë mesazhi mund t’u përcjellë transmetimi të rinjve.
Sipas ekspertëve, procesi i apelimit të dënimit të Hasanit nuk ka përfunduar dhe një betejë e re ligjore mund ta shtyjë ekzekutimin për vite me radhë.
Vendimi për ekzekutimin është miratuar nga presidenti Donald Trump, sipas Pentagonit, ndërsa Shtëpia e Bardhë nuk ka konfirmuar ende nëse ai mbështet edhe transmetimin e drejtpërdrejtë. Kjo vjen pas rastit me Christa Pike, e cila u mbijetoi dy injeksioneve gjatë zbatimit të dënimit me vdekje.













