POLITIKË /

Rrokadë diplomatike, Petrit Malaj emërohet në Shkup, ambasadori Denion Meidani në Prishtinë

Të dy diplomatët kanë prezantuar kandidaturat e tyre këtë të premte në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme në Kuvendin e Shqipërisë, ku kanë paraqitur prioritetet për detyrat e reja.

Shkruar nga Versus

Rrokadë diplomatike, Petrit Malaj emërohet në Shkup, ambasadori

Petrit Malaj dhe Denion Meidani pritet të ndërrojnë detyrat diplomatike, me Malajn që do të emërohet ambasador i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut dhe Meidanin që do të marrë drejtimin e ambasadës shqiptare në Kosovë.

Të dy diplomatët kanë prezantuar kandidaturat e tyre këtë të premte në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme në Kuvendin e Shqipërisë, ku kanë paraqitur prioritetet për detyrat e reja.

Petrit Malaj, i cili aktualisht shërben si ambasador i Shqipërisë në Kosovë, deklaroi se përvoja në Prishtinë i ka shërbyer për të kuptuar rëndësinë e besimit dhe bashkëpunimit konkret në marrëdhëniet mes vendeve.

Ai theksoi se prioriteti i tij në Shkup do të jetë forcimi i marrëdhënieve politike dhe institucionale mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Një Maqedoni e Veriut më demokratike dhe europiane është në interes të shqiptarëve, maqedonasve dhe gjithë rajonit. Marrëdhëniet e forta shtetërore, prioriteti im i parë i këtij mandati do të jetë forcimi i marrëdhënieve politike dhe institucionale midis dy vendeve”, u shpreh Malaj.

Ai shtoi se synon të vendosë një format të rregullt komunikimi me Ministrinë për Punët e Jashtme dhe Tregtinë e Jashtme të Maqedonisë së Veriut, si dhe me institucionet shtetërore, partitë politike, institucionet e drejtësisë dhe botën akademike.

Ndërkohë, Denion Meidani, i cili aktualisht është ambasador i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, pritet të transferohet në Prishtinë.

Gjatë prezantimit të kandidaturës së tij, Meidani e cilësoi detyrën e ambasadorit në Kosovë si një përgjegjësi të veçantë, duke e përshkruar marrëdhënien mes dy vendeve si një urë lidhëse mes dy shteteve të të njëjtit komb.

“Ju falënderoj për mundësinë për të paraqitur kandidaturën time si ambasador i Shqipërisë në Kosovë. E pranoj këtë përgjegjësi, sepse është një urë e rëndësishme mes dy shteteve të një kombi”, deklaroi ai.

Meidani kujtoi gjithashtu pranverën e vitit 1999, kur Kosova po përjetonte luftën, duke iu referuar qëndrimit të babait të tij, ish-presidentit të Shqipërisë, Rexhep Meidani, për mbështetjen ndaj kosovarëve.

“Për mua tashmë është një nder i madh, mbaj me vete ADN-në e babait tim”, u shpreh ai./Versus.al

Poll