A u bind Braçe nga Rama? Klosi zbulon si u votua Reforma Territoriale: Kishte mendimin e tij, por…

Kuvendi miratoi pas mesnatës Reformën Territoriale me 85 vota pro dhe 34 kundër, duke hapur rrugën për uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46.
Mazhoranca e paraqet ndryshimin si një mundësi për bashki më të fuqishme financiarisht, ndërsa opozita dhe përfaqësues të pushtetit vendor kanë ngritur shqetësime për konsultimin publik.
Edhe Erion Braçe, i cili në fillim e kishte kundërshtuar Reformën Territoriale, votoi pro. Sot ishte i ftuar në emisionin “Shqipëria Live” me Sidorela Gjonin, Blendi Klosi, i cili u shpreh se ‘të gjithë kanë dhënë mendimet e tyre, por është e shkruar në rregulloren e grupit parlamentar se ku vota është politike, do të duhet të ndiqet nga të gjithë’.
Pjesë nga intervista:
Sidorela Gjoni: Si u bind Erion Braçe? Sepse pati takime ballë për ballë me kryeministrin Edi Rama disa nga personazhet të cilët ishin në mëdyshje.
Blendi Klosi: Unë isha prezent dhe po ju them që ishte një diskutim shumë i hapur përsa i përket kësaj pjese të diskutimit. Pra, Erioni shprehu dhe në mbledhjen e grupit arsyet pse do të donte të bëhej në kah të kundërt diskutimi. Pra në radhë të parë të flitej për kompetencat, të flitej për financat e Bashkive, të flitej për çfarë do të bëhej më mbrapa dhe më pas të hynim te harta. Natyrisht që nuk kishte ndonjë gjë ekstravagante.
Sidorela Gjoni: A votuan kolegët tuaj nën presionin e një fjalie ‘kush nuk voton le të ikë’?
Blendi Klosi: Jo, nuk është presion i një fjalie, është e shkruar në rregulloren e grupit parlamentar, në statutin e partisë, kur vota është politike, do të duhet të ndiqet nga të gjithë.
Sidorela Gjoni: A lejohet që të ketë secili mendimin e tij?
Blendi Klosi: Padyshim, secili ka mendimin e tij. Edhe unë e dhashë mendimin tim.
Sidorela Gjoni: A dëgjohet mendimi?
Blendi Klosi: Padyshim. Pse, mendimi i Erionit nuk është dëgjuar?
Sidorela Gjoni: Erion Braçe nuk do që Divjaka të shkrihet si bashki.
Blendi Klosi: Dakord, kishte opinionin e tij. Mblidhen opinionet, prandaj është forcë politike, prandaj është strukturë politike, janë vektorë që jo të gjithë kanë të njëjtin kah, por që mblidhen drejt magnetit të madh, dhe është Partia Socialiste.


