“Javën e ardhshme krijojmë Ministrinë e Administratës Publike”- Kryeministri Rama njofton portofolin e ri në Qeveri

Një ministri me portofol vetëm për administratën publike. Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se javën e ardhshme do të krijohet Ministria e Administratës Publike, duke e cilësuar këtë fushë si një nga prioritetet qendrore të qeverisë dhe të procesit të integrimit europian të Shqipërisë.
Gjatë fjalës së tij, Rama vlerësoi punën e ministres së Shtetit për Administratën Publike, Adea Pirdeni, duke shprehur besimin se ajo do të udhëheqë krijimin dhe funksionimin e institucionit të ri.
“Dua ta ndaj me ju sot që do të krijojmë javën e ardhshme ministrinë e Administratës Publike, pikërisht sepse tanimë më tema e administratës publike është një temë shumë qendrore e punës së qeverisë dhe e shtetbërjes së mëtejshme europiane të Shqipërisë. Është nevoja që përmes Ministrisë së Administratës Publike, një model që e kanë dhe shumë vende të tjera europiane, ne të zgjerojmë gamën e detyrave, gamën e punëve, gamën e ambicieve për të ngritur më lart shtetin europian të shqiptarëve”, deklaroi Rama.
Kryeministri theksoi se ministrja ka qenë e angazhuar në trajtimin e çështjeve që lidhen me administratën publike dhe shprehu besimin se puna e deritanishme do të shërbejë si bazë për ngritjen e një institucioni model.
“Nuk diskutohet që Ministrinë e Administratës Publike mund ta drejtojë dhe ta çojë përpara vetëm ministrja e Shtetit për Administratën Publike. Adea të falënderoj për përkushtimin, për faktin që asnjëherë nuk i jep lirë fjalët e mira, as fjalët e këqija, por je gjithmonë e angazhuar që çdo fjalë apo çështje që trajton të mos bjerë në tokë.
Kam shumë besim që me këtë bazë që është ndërtuar, me çdo gur kilometrik që ke vendosur, do arrish që ministrinë e Administratës Publike të RSH ta kthesh në një institucion model siç duhet të jetë model administrata publike”, u shpreh Rama.


