Alarmi për pijet energjike, 7-vjeçarë përfundojnë në toksikologji. Mjekët flasin për pasojat
Kardiologët dhe toksikologët paralajmërojnë për pasojat që mund të sjellë konsumimi i shpeshtë i tyre, veçanërisht kur pijet energjike përzihen me alkoolin. Sipas mjekëve, konsumimi i disa kanaçeve gjatë ditës mund të ndikojë drejtpërdrejt në shëndetin e zemrës, duke shkaktuar rritje të tensionit arterial, rrahje të shpejta dhe palpitacione.
“Hipertension, rrahje të shpejta, palpitacione të zemrës, sepse këto pije kanë aditivë, kafeinë”, shprehet mjekja kardiologe Engjëllushe Hasani. Shqetësues është edhe fakti se në Shërbimin e Toksikologjisë në QSUT janë paraqitur raste të fëmijëve vetëm 7 vjeç, me simptoma të rënda. Sipas informacionit të bërë publik, janë raportuar edhe raste me ishemi.
Rreziku bëhet edhe më i madh kur pijet energjike kombinohen me alkoolin, një përzierje që mund të shtojë rrezikun për probleme serioze shëndetësore, përfshirë komplikacionet kardiovaskulare dhe neurologjike. Mjekët theksojnë se pasojat nuk duhen parë vetëm në momentin e konsumimit, pasi përdorimi i shpeshtë mund të ndikojë edhe në shëndetin afatgjatë.
Në vend të pijeve energjike, specialistët këshillojnë një mënyrë jetese të shëndetshme, me ushqyerje të ekuilibruar, aktivitet fizik dhe gjumë të mjaftueshëm. “Jo ndalim, por edukim mbi rreziqet. Energjia nuk vjen nga kanaçja, por nga ushqimi i mirë, aktiviteti fizik dhe gjumi i mirë”, është këshilla e mjekut Tahiri për adoleshentët.

