Pano Ruçi, babai i 22-vjeçarit shqiptar Denis Ruçi i cili vdiq në aksidentin fatal hekurudhor në Tempi, dy vite më parë, më 28 Shkurt 2023, është ndjerë keq në seancën gjyqësore të mbajtur para dy ditësh në Greqi, ku mësohet se ka humbur ndjenjat.
Mediat greke shkruajnë se pasi dha dëshminë e tij, shqiptari është ndjerë keq dhe ka pasur tension të lartë të gjakut. Në gjykatë mbërriti menjëherë ambulanca e EKAB-it e cila e ka transportuar atë në Spitalin e Përgjithshëm të Larisës.
Për shkak të situatës së krijuar, u bë me dije se seanca gjyqësore do të shtyhej deri të hënën. Më tej u bë me dije se seancat e ardhshme do të vazhdonin zyrtarisht me dëshmitë e mbetura, ndërsa Ruçi të dëshmonte pasi të konfirmohej se ai ishte në gjendje të mirë shëndetësore.
Para se gjendja e tij shëndetësore të përkeqësohej, Panos Ruçi u shpreh se nuk do të ndalet derisa të mësojë rrethanat e sakta në të cilat vdiq fëmija i tij.
"Nuk do të ndalem derisa të di se si vdiq fëmija im. Do të luftoj deri në frymën time të fundit.” , tha shqiptari.
Njëkohësisht, në dëshminë e tij, ai iu referua edhe hetuesit të apelit Sotiris Bakaimis, duke ngritur pyetje në lidhje me trajtimin e çështjes: Me çfarë të drejte i shkatërroi Bakaimis eshtrat? Me çfarë të drejte e mbyll çështjen? Me çfarë të drejte largohet nga zyra e tij? A jemi ne përgjegjës për rrënojat, ne?
Më tej ai shtoi se është në pritje të së vërtetës për ngjarjen: Ata duhet të mbahen përgjegjës, të thonë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. Është një plagë që rrjedh gjak çdo ditë në mendjet dhe shpirtrat tanë.
Ashtu siç ka kërkuar dhe më parë Ruçi përsëriti kërkesën për zhvarrim: Dua të di nëse është vetëm fëmija im në arkivol. Kjo është arsyeja pse duam që zhvarrimet të bëhen siç duhet. Atje qëndron e gjithë e vërteta.
Kujtojmë se në shtatorin e 2025 qindra qytetarë shqiptarë e grekë, janë bashkuar në solidaritet me dhimbjen e Pano Ruçit. Denis Ruçi është një nga 57 viktimat e aksidentit fatal hekurudhor në Tempi, dy vite më parë, më 28 Shkurt 2023.
