Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka urdhëruar këtë javë Departamentin për të Drejtën Ndërkombëtare në Ministrinë e Drejtësisë që të përgatisë një çështje ligjore kundër presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, për t’u dërguar në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GJPN).
Sipas raportimeve në mediat izraelite, çështja do të përqendrohet kryesisht te trajtimi i pakicës kurde në Turqi, ndërsa do të përfshijë edhe akuzat e Izraelit për lidhjet e Ankarasë me Hamasin, përfshirë mbështetjen financiare dhe strehimin e drejtuesve të tij në Turqi.
Megjithatë, nisma e Izraelit vështirë se do të ketë pasoja të menjëhershme ligjore. As Izraeli dhe as Turqia nuk janë palë në Statutin e Romës, dokumenti themelues i GJPN-së, ndaj juridiksioni i gjykatës mbi një çështje të tillë do të përballej me pengesa të mëdha.
Përgatitja e çështjes duket se lidhet edhe me përshkallëzimin e përplasjeve ligjore mes dy vendeve. Nisma e Netanyahut erdhi pasi Turqia njoftoi se do të kërkonte një njoftim të kuq të Interpolit për arrestimin e kryeministrit izraelit, në kuadër të një hetimi të brendshëm lidhur me një rast të flotiljes për Gazën.
Sipas raportimeve, Izraeli mund ta përdorë dosjen si mjet presioni ndaj Erdoğan-it, ndërsa mundësia që çështja të dërgohet realisht në GJPN mbetet e pasigurt.
Megjithatë, iniciativa izraelite është e rëndësishme për disa arsye. Kjo është hera e parë që Jerusalemi kërkon të përdorë trajtimin e pakicës kurde nga Turqia si mjet presioni ndaj Ankarasë. Ministrat izraelitë kanë bërë edhe më parë deklarata për këtë çështje, por ato nuk janë shoqëruar me veprime konkrete, shkruan jerusalempost.
Hapi i fundit përfaqëson një përfshirje më aktive të Izraelit në atë që njihet si luftë ligjore, apo “lawfare”. Është shenja e parë se Jerusalemi synon të bëjë më shumë sesa thjesht të mbrohet në këtë fushë. Nisma izraelite është përshëndetur me entuziazëm nga disa kurdë me origjinë nga Turqia, të cilët kanë folur me autorin e shkrimit.













