BOTA /

50 mijë persona protestojnë në Bruksel kundër shkurtimeve buxhetore, anulohen mbi 100 fluturime

Protestat u organizuan nga sindikata e krishterë CSC dhe ajo socialiste FGTB, të cilat koordinuan edhe ndërprerjet e punës në të gjithë vendin. 

Shkruar nga Versus

50 mijë persona protestojnë në Bruksel kundër shkurtimeve

Mijëra protestues u përleshën me policinë në Bruksel gjatë një demonstrate masive kundër masave të qeverisë belge për uljen e shpenzimeve publike. Në protestë morën pjesë nga 30 mijë deri në 50 mijë persona.

Sipas agjencisë së lajmeve “Belga”, protestuesit hodhën sende në drejtim të policisë dhe u vunë flakën biçikletave me qira. Forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë për të shpërndarë turmën.

Aksionet shkaktuan anulimin e më shumë se 100 fluturimeve në aeroportin e Brukselit.

Marshimi ishte pjesë e protestave të organizuara në mbarë vendin nga sindikatat, kundër masave të planifikuara për shkurtimin e shpenzimeve publike.

Përpara nisjes së demonstratës, presidenti i sindikatës socialiste, Bert Engelaar, u bëri thirrje personave që synonin të shkaktonin dhunë të mos merrnin pjesë në protestë.

“Këta persona nuk kanë asnjë lidhje me mesazhin që mijëra të tjerë duan të përcjellin duke dalë në rrugë”, shkroi ai në Facebook.

Protestat u organizuan nga sindikata e krishterë CSC dhe ajo socialiste FGTB, të cilat koordinuan edhe ndërprerjet e punës në të gjithë vendin. 

Belgjika përballet me borxh të lartë publik dhe deficit të konsiderueshëm buxhetor. Qeveria e qendrës së djathtë, e drejtuar nga kryeministri Bart De Wever, synon të kursejë 10 miliardë euro deri në përfundim të mandatit të saj, në vitin 2029./Versus.al

Poll