Komiteti Disiplinor i Dhomës së Avokatisë ka vendosur t'i pezullojë për 2 vite licencën e ushtrimit të profesionit të avokatit, Lefter Xhengos. Ai ka vendosur sot që të thyente bojkotin e vendosur nga kolegët me unanimitetin e Dhomës, duke mbrojtur në seancë për masën e sigurisë Leli Kajën.
Arrestimi i administratorit të inceneratorit të Elbasanit u vlerësua i ligjshëm nga Gjykata e Posaçme, por në vend të masës "Arrest në burg", togat e zeza dhanë sot masën e sigurisë "Arrest në shtëpi".
Ndodhur në këto kushte, Komiteti Disiplinor i Dhomës së Avokatisë ka vendosur masën e pezullimit të licencës për dy vite, për avokatin Lefter Xhengo, për shkak të pjesëmarrjes në seancën gjyqësore në kundërshtim me bojkotin e Dhomës së Avokatisë.
Gjithashtu, Komiteti Disiplinor ka shqyrtuar edhe rastin e avokatit Mirgen Gjoci, i cili mbrojti Gerta Gjocin në seancën për caktimin e masës së sigurisë, pavarësisht bojkotit. Për të, është vendosur vetëm vërejtje dhe këshillim, pa marrë një masë më të rëndë disiplinore.
Në vendimmarrje janë marrë parasysh rrethana humanitare dhe lidhja familjare mes avokatit dhe të dyshuarës. E arrestuara në operacionin e call center-ave ka një foshnjë katër muajshe dhe është nusja e vëllait të avokatit Mirgen Gjoci.
Dhoma Kombëtare e Avokatisë është në bojkot të përgjithshëm për shkak të mosdakordësisë për Rregulloren e re të miratuar nga Gjykata e Posaçme. Avokatët kanë vendosur të mos marrin pjesë në seancat për masën e sigurimit e as për ato të themelit.


