Shqipëria, Greqia dhe Maqedonia e Veriut do të bashkëpunojnë për përgatitjen e kandidaturës së rajonit të Prespës për përfshirjen në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, me synim ruajtjen e vlerave natyrore, historike e kulturore dhe zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja bëri të ditur sot se ndodhet në bashkinë e Prespës së bashku me ministren e Kulturës të Greqisë, Lina Mendoni dhe ministrin e Kulturës dhe Turizmit të Maqedonisë së Veriut, Sedat Sulejman për të nisur këtë proces të përbashkët.
“Prespa na bashkon përmes natyrës, historisë dhe kulturës së saj. Duam ta mbrojmë këtë pasuri dhe të krijojmë më shumë mundësi për komunitetet që jetojnë këtu dhe më shumë turizëm të qëndrueshëm. Bashkimi Europian do të vërë në dispozicion 2 milionë euro për hartimin e studimit të fizibilitetit për këtë kandidaturë treshtetërore”, tha Gonxhja.
Ministri Gonxhja u shpreh se “në pjesën shqiptare, restaurimi i pikturave murale në Kishën e Shën Marisë në Maligrad, ndriçimi i kishës dhe i shtegut, si edhe Shtëpia Muze e Sterjo Spasses në Gollomboç, kanë pasuruar ofertën kulturore dhe turistike të zonës”.
Po kështu, shtoi Gonxhja, projekti ACT4PRESPA, i financuar nga BE, bashkon institucione nga të tre vendet për konservimin, digjitalizimin dhe promovimin e vlerave të papërsëritshme të trashëgimisë së Prespës së Madhe e asaj të Vogël.
“Duam gjithashtu të zhvillojmë itinerare të përbashkëta turistike, misione kërkimore e ekspedita për njohjen dhe promovimin e Prespës dhe Ohrit, krahas shkëmbimeve artistike, sportive dhe rinore me fqinjët tanë”, tha Gonxhja.
Kandidatura e përbashkët për UNESCO-n synon të forcojë mbrojtjen e trashëgimisë ndërkufitare dhe të krijojë mundësi të reja zhvillimi për komunitetet lokale përmes turizmit të qëndrueshëm. A.K./TemA
Lini një Përgjigje