Urdhri Suprem i Shqiponjës/ Begaj dekoron dy senatorë amerikanë, i pranishëm edhe ambasadori i SHBA-së

09/10/2026 17:23

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka dekoruar senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin me titullin e lartë “Komandar i Urdhrit Suprem të Shqiponjës”, në një ceremoni zyrtare të zhvilluar në Pallatin e Brigadave.

Senatorët amerikanë u pritën nga kreu i shtetit në prani të ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Eric Wendt.

Gjatë takimit, Begaj vlerësoi partneritetin strategjik dhe aleancën e qëndrueshme mes Shqipërisë dhe SHBA-së, të mbështetur në vlerat e përbashkëta demokratike dhe angazhimin për sigurinë euroatlantike.

Presidenti shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme amerikane ndaj Shqipërisë në proceset e integrimit euroatlantik, forcimin e institucioneve demokratike, reformën në drejtësi dhe rritjen e kapaciteteve mbrojtëse.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e vijimit të bashkëpunimit në kuadër të NATO-s dhe të pranisë amerikane në Ballkanin Perëndimor për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe perspektivës euroatlantike të rajonit.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe kontributit të Shteteve të Bashkuara për sigurinë e Kosovës përmes misionit të KFOR-it.

Gjatë takimit u diskutua edhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit mes dy vendeve në fusha me rëndësi strategjike, si energjia, investimet, mbrojtja, siguria kibernetike dhe infrastruktura.

“Bashkëpunimi i shkëlqyer politik krijon mundësi për konkretizim të bashkëpunimit në fusha, si: energjia, investimet, mbrojtja, mbrojtja kibernetike dhe infrastruktura”, u shpreh Presidenti Begaj.

Në takim u trajtua gjithashtu Bordi i Paqes, ku Shqipëria mbështet nismat ndërkombëtare që synojnë dialogun dhe bashkëpunimin.

Gjatë ceremonisë së dekorimit, kreu i shtetit vlerësoi kontributin e senatorëve Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin në forcimin e partneritetit strategjik shqiptaro-amerikan, si dhe mbështetjen e tyre për integrimin euroatlantik të Shqipërisë, paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Begaj nënvizoi gjithashtu mbështetjen e senatorëve për nismën “Western Balkans Democracy and Prosperity Act”, e cila është konkretizuar në ligj dhe synon forcimin e bashkëpunimit ekonomik, demokratik dhe institucional në rajon.

Ceremonia e dekorimit shërbeu si një tjetër shprehje e marrëdhënieve të ngushta mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe e mirënjohjes së shtetit shqiptar për kontributin e senatorëve në zhvillimin e partneritetit strategjik mes dy vendeve.

Top Channel