
Antoneta Sevdari, Afërdita Ndoj dhe Eloida Goxhi janë tre anëtaret e reja të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP). Ato u zgjodhën gjatë Mbledhjes së Përgjithshme të Prokurorëve të Shqipërisë, e zhvilluar në Durrës.
Antoneta Sevdari do të përfaqësojë Prokurorinë e Përgjithshme, Afërdita Ndoj prokuroritë e apelit, ndërsa Eloida Goxhi prokuroritë e shkallës së parë.
Tre anëtaret e reja zëvendësojnë Sokol Stojanin, Ledina Rizën dhe Zeqir Hodën, të cilëve u ka përfunduar mandati në këtë institucion.
Antoneta Sevdari u shkarkua nga detyra në vitin 2019, në kuadër të procesit të vetingut, por e kundërshtoi vendimin në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Kjo e fundit konstatoi shkelje në procesin e shkarkimit të saj dhe i kërkoi shtetit shqiptar ta rishikonte vendimin, nëse ajo do ta kërkonte këtë.
Afërdita Ndoj u konfirmua në detyrë nga procesi i vetingut, pas vlerësimit të pasurisë dhe kritereve etike e profesionale. E diplomuar në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2003, ajo e nisi karrierën në Prokurorinë e Lezhës dhe në vitin 2009 u transferua në Prokurorinë e Tiranës.
Ndërsa Eloida Goxhi është diplomuar në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2010. Ajo e ka ushtruar detyrën në prokuroritë e Durrësit dhe Beratit, ndërsa në vitin 2018 u konfirmua në detyrë nga procesi i vetingut.
Gjatë mbledhjes, kryeprokurori Olsian Çela shprehu besimin se anëtaret e reja do të përmbushin kriteret dhe përgjegjësitë që kërkon ushtrimi i detyrës.
Zgjedhja e anëtareve të reja vjen në një moment të rëndësishëm për KLP-në, e cila po zhvillon procesin e vlerësimit të pesë kandidatëve për postin e Prokurorit të Përgjithshëm.
Procesi u zhbllokua më 8 tetor 2026, pasi KLP-ja rrëzoi me shumicë votash kërkesat e ndërsjella të kandidatëve për përjashtimin e anëtarëve të Këshillit nga vendimmarrja.
Në garë për drejtimin e Prokurorisë së Përgjithshme janë Adnan Xholi, Arta Marku, Fatjona Memçaj, Rovena Zoto dhe Ylli Pjetërnikaj.

