Miratimi i Reformës Territoriale me 85 vota pro, pas një seance maratonë në Kuvend, vijon të jetë në qendër të diskutimeve. Një nga momentet që tërhoqi vëmendjen ishte ai i deputetit socialist Erion Braçe, i cili, ndonëse kishte kundërshtuar për ditë me radhë hartën e re administrativo-territoriale, në fund votoi pro saj.
Pamjet e votimit, që po qarkullojnë në rrjetet sociale, fokusojnë Braçen në çastin kur ngre kartonin jeshil dhe më pas vendos të dyja duart në kokë. Në krah të tij shihet deputetja socialiste Aulona Bylykbashi, e cila i qëndron pranë dhe e prek në shpatulla.
Momenti vjen pas një mbrëmjeje të gjatë debatesh, gjatë së cilës Braçe kishte përsëritur kundërshtitë ndaj reformës. Pas votimit, ai deklaroi se vijon të jetë kundër hartës së re dhe se do të shpjegojë arsyet pse vendosi të votojë pro.
“Jam kundër prapë për Reformën. Do t’ua shpjegoj nesër pse votova pro. Jam kundër kësaj harte administrativo-territoriale”, u shpreh Braçe pas përfundimit të votimit. I pyetur nëse kishte zgjedhur partinë, ai u përgjigj: “Jo, kam zgjedhur ekzaktësisht qytetarët”.
