AKTUALITET /

SHBA vendos sanksione ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Rubio: Do të kufizojmë burimet e saj

Administrata amerikane u ka bërë thirrje aleatëve të frenojnë veprimtarinë e gjykatës, duke paralajmëruar se në të kundërt do të ndërmarrë hapa të tjerë.

Shkruar nga Versus

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka vendosur sanksione të reja ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN), duke zgjeruar masat kundër institucionit që ndjek penalisht krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se Uashingtoni nuk do të lejojë që gjykata të ndjekë penalisht shtetas amerikanë. Sipas tij, masat synojnë të kufizojnë burimet dhe aftësinë e institucionit për të vepruar.

“Presidenti Trump nuk do të lejojë kurrë që Gjykata Penale Ndërkombëtare të ndjekë penalisht amerikanët”, deklaroi Rubio, duke paralajmëruar se SHBA-ja do të ndërpresë transaksionet me gjykatën.

Masat e reja shkojnë përtej sanksioneve të mëparshme ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve të institucionit, pasi mund të prekin edhe kompanitë që ofrojnë shërbime për të. Këto kufizime mund të ndikojnë në shërbimet bankare, sigurimet dhe teknologjinë që përdor gjykata.

Zëvendësprokurorja e GJPN-së, Nazhat Shameem Khan, i dënoi sanksionet, duke i cilësuar si një përpjekje për të minuar sundimin e ligjit në nivel ndërkombëtar dhe pavarësinë e institucioneve gjyqësore.

Ajo theksoi se masat nuk do ta pengojnë gjykatën të vijojë punën për hetimet dhe procedurat penale që ka në shqyrtim.

Përplasja mes Uashingtonit dhe GJPN-së lidhet veçanërisht me urdhër-arrestet e lëshuara ndaj zyrtarëve izraelitë, përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu, si dhe me hetimin e mëparshëm për veprimet e ushtarëve amerikanë në Afganistan, të cilin gjykata e ka mbyllur.

Shtetet e Bashkuara nuk janë palë në Statutin e Romës, dokumenti themelues i GJPN-së, ndërsa institucioni me seli në Hagë ka 125 shtete anëtare, përfshirë vendet e Bashkimit Evropian dhe shumicën e anëtarëve të NATO-s.

Administrata amerikane u ka bërë thirrje aleatëve të frenojnë veprimtarinë e gjykatës, duke paralajmëruar se në të kundërt do të ndërmarrë hapa të tjerë.

“Ose Gjykata Penale Ndërkombëtare do t’u japë fund kërcënimeve të saj, ose ne do t’i japim fund Gjykatës Penale Ndërkombëtare”, deklaroi Rubio, duke shtuar se SHBA-ja pret që aleatët e saj të adresojnë shqetësimet e Uashingtonit./Versus.al

 

Poll