Detaje të reja kanë dalë në pah nga krimi i dyfishtë i ndodhur në Gjilan të Kosovës, ku mësohet se dy viktimat janë vëlla e motër. Ndërsa mësohet se personi që mbeti i plagosur mësohet se është xhaxhai i viktimës.
Mediat vendase shkruajnë se autori i ngjarjes, pasi i qëlloi për vdekje, ka marrë gruan e tij për të dërguar në spital, që t’i shpëtonte jetën, mirëpo e reja thuhet se nuk arriti t’u mbijetonte dot plagëve të marra duke vdekur në vend.
Dyshimet e para për krimin e dyfishtë janë se shkak është bërë kërkesa e gruas për t’u divorcuar nga burri i saj. Megjithatë, hetimet janë në vijim dhe pritet që policia të zbardhë rrethanat e plotë të ngjarjes së rëndë.
“Sot, më 09.10.2026, rreth orës 14:25, Policia e Kosovës, përkatësisht Stacioni Policor në Gjilan, ka pranuar një informatë lidhur me të shtëna me armë zjarri në fshatin Livoç i Ulët, në Komunën e Gjilanit.
Menjëherë pas pranimit të informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore, si dhe dy prokurorë të Shtetit, me ç’rast është konstatuar se bëhet fjalë për një incident të rëndë, ku dyshohet se nga arma e zjarrit është vrarë një person i gjinisë mashkullore, rreth 30-vjeçar, i cili është gjetur brenda një veture. Po ashtu ne vendin e ngjarjes ka dal edhe Drejtori i DRP,Gjilan.
Në Spitalin e Përgjithshëm në Gjilan është sjellë pa shenja jete një person i gjinisë femërore, rreth 30-vjeçare, e cila dyshohet se po ashtu është vrarë nga arma e zjarrit nga i njëjti i dyshuar.
Ndërkohë, një person tjetër, i cili ka pësuar lëndime nga arma e zjarrit, pas marrjes së ndihmës së parë në Emergjencën e Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan, është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), për trajtim të mëtejshëm mjekësor.
Sipas informatave fillestare, dyshohet se në mes të të dyshuarit dhe viktimave ekziston një lidhje familjare. Deri në këtë fazë të hetimeve, motivi që ka çuar në këtë ngjarje të rëndë ende nuk dihet.
I dyshuari është vetëdorëzuar, ndërsa gjatë veprimeve policore është sekuestruar edhe një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në rast.
Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe njësitë relevante hetimore, është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të ngjarjes, përcaktimit të motivit dhe dokumentimit të rastit.”, njoftoi sot Policia.

