
Një çift shqiptarësh, 39-vjeçari dhe 34-vjeçarja, janë arrestuar në Selanik të Greqisë, pasi tentuan t’i shmangeshin kontrollit policor. Gjatë kontrollit, policia u gjeti një pistoletë me 15 fishekë, kokainë dhe një telefon celular të raportuar si të vjedhur.
Sipas Policisë Greke, ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të 8 tetorit, në pjesën perëndimore të Selanikut. Çifti udhëtonte me automjet, kur drejtuesi tentoi t’i largohej policisë duke rritur shpejtësinë, kryer manovra të rrezikshme dhe kaluar semaforë me dritë të kuqe.
Automjeti u ndalua nga policia në zonën e Giannitson. Gjatë kontrollit ndaj 34-vjeçares u gjetën një pistoletë me karikator me 15 fishekë, dy paketime me sasi të vogla kokaine dhe një telefon celular për të cilin ishte raportuar vjedhja.
Nga verifikimet e mëtejshme, autoritetet greke konstatuan se dy shqiptarët nuk dispononin dokumentacionin e nevojshëm për qëndrim të ligjshëm në Greqi.
Në ngarkim të tyre është ngritur dosje për shkelje të legjislacionit për armët, narkotikët dhe të huajt, si dhe për mosbindje ndaj policisë dhe drejtim të rrezikshëm të automjetit.
Çifti do të dërgohet përpara autoriteteve gjyqësore kompetente, ndërsa hetimet për rastin vijojnë./Versus.al

