Ish-deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, ka lëshuar akuza të forta ndaj Edi Ramës, duke e cilësuar votimin e djeshëm të reformës territoriale si, një akt kriminal dhe mafioz, që sipas tij synon rrëmbimin e pronave të qytetarëve dhe krijimin e hapësirave për pastrimin e parave.
I ftuar në emisionin ‘Syri Digjital’ në SYRI TV, me moderator Bled Marku, Vasili akuzoi kryeministrin se ka përqendruar pushtetin në një zyrë të vetme, nga ku, sipas tij, kontrollohen institucionet, blihen deputetë e gjykatës dhe drejtohen vendimmarrjet në interes të grupeve të caktuara financiare.
Duke komentuar vendimin e djeshëm, ai e lidhi atë me shpopullimin e vendit dhe rrezikun e humbjes së pronave nga qytetarët shqiptarë.
Ai theksoi se, sipas tij, shpopullimi i Shqipërisë po krijon kushte që pronat e qytetarëve të përfundojnë në duart e interesave të tjera, duke u përdorur edhe për pastrimin e parave.
Vasili i përqendroi akuzat te mënyra se si, sipas tij, ushtrohet pushteti në Shqipëri, duke deklaruar se institucionet nuk funksionojnë në mënyrë të pavarur dhe se vendimmarrja është përqendruar në duart e kryeministrit.
Sipas Vasilit, ministritë, bashkitë, parlamenti dhe institucionet e drejtësisë janë nën kontrollin e kësaj zyre, ndërsa vendimmarrjet drejtohen nga interesa financiare.
‘Është një akt vërtet kriminal. Është një sjellje e qartë, si të them, një sjellje mafioze. Nuk ka lidhje fare as me shtetin, nuk ka lidhje as me ushtrimin normal të pushtetit, por është një akt rrëmbimi ditën për diell, të të drejtave të qytetarëve, të drejtave më minimale të tyre dhe të drejtave të tyre për ta administruar, për të qenë ata zotët e tokës.
Se zotët e Shqipërisë janë shqiptarët, nuk janë pushtetarët që ndërrohen kohë pas kohe. Dhe njëkohësisht është një akt shumë i rëndë mafioz sepse i bën shërbim vetëm një objektivi, që Shqipëria të shpopullohet gjithmonë e më thellë, të gërryhet nga shpopullimi dhe në këtë mënyrë të kenë shumë të lehtë që të rrëmbejnë pronat e shqiptarëve, t'i shesin e t'i blejnë si të duan, t'i kenë si sheshe dhe hapësira për të pastruar paratë.
Pa diskutim që Shqipëria është lavatriçja më e frikshme e parave të gjithë Evropës dhe tashmë një fenomen i nivelit botëror.
Dhe ky akt i djeshëm ishte pra një grabitje e tmerrshme mafioze ditën për diell. Praktikisht shteti, pushteti ka rënë dhe atë që e kam thënë dhe do vazhdoj ta them pa u lodhur deri në fundin që ky monstër të jetë atje në zyrën e kryeministrit, ne nuk kemi as shtet, as pushtet, ne kemi drejtimin nga një zyrë e vetme mafioze që drejtohet nga Edi Rama.
14 vite që merr vendime për jetën e qytetarëve.
Mbetet, ajo mbetet një zyrë mafioze dhe kushdo që dëgjon, ne që po diskutojmë së bashku, duhet të kuptojnë që nuk ka shtet. Nuk ka ministri, nuk ka pushtete lokale, nuk ka bashki, nuk ka nëpunësa.
Ka vetëm e vetëm një zyrë mafioze të Edi Ramës, i cili qeveris nga ajo zyrë të gjithë të tjerët dhe të gjithë institucionet e tjera përfshirë këtu parlamente, presidente, çfarë të doni, e drejtësia e kapur e të tjera, të gjitha kanë vdekur dhe qeverisen nga ajo zyrë, nga interesat e pista miliardere financiare të asaj zyre e cila blen deputetë, blen pushtete, blen gjykatës, rrëmben toka, pastron para, të gjitha gjenerojnë nga ajo zyrë.
Dhe çdo qytetar duhet ta shuajë iluzionin që do shkojë të trokasë në dyert e shtetit për të kërkuar një drejtësi apo për të kërkuar një shërbim. Absolutisht jo. Këtu nuk ekziston më shteti, pushteti dhe institucionet, kushtetuta e ligji kanë vdekur, është vetëm zyra.
U pa edhe në votimin e djeshëm që edhe ata deputetët qesharakë që bënin sikur do diskutonin gjoja kundër reformës, u blenë tamam siç blihen ato bagëtitë atje në pazarin e gjësë së gjallë. Bile këta nuk i ka blerë fare, këtyre ua ka marrë kështu, me falni për shprehjen, për mendër aty dhe ik votoni se ndryshe ju përzë përjashta.’, tha Petrit Vasili në SYRI TV.
© SYRI.net
Territorialja, goditje për qytetarët!/ Xhaferri: Shkrirja e bashkive largon rininë nga vendi, thellon shpopullimin
EMRAT/ Everest Kazheli jep dorëheqjen pas vetëm 3 orësh në krye të ASHK-së Elbasan
Rokada diplomatike, Meidani: Nder i madh të përfaqësoj Shqipërinë në Kosovë, mbaj me vete ADN e babait tim