Një punëtor 49-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në Greqi, pasi nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të rënda të marra nga rrëzimi prej një skelë gjatë punimeve të ndërtimit.
Ngjarja e rëndë ndodhi në zonën e Kato Kamilës, në Serres, ku 49-vjeçari po kryente punime ndërtimi kur, në rrethana që ende nuk janë sqaruar, ra nga skela dhe u përplas në tokë.
Sipas mediave greke, aksidenti ndodhi rreth orës 11:30 të paradites. I plagosuri u transportua me urgjencë në Spitalin e Përgjithshëm të Serres, por, pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra.
Autoritetet kompetente kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit në vendin e punës dhe për të përcaktuar se si ndodhi rrëzimi fatal i punëtorit shqiptar.
Ngjarja është një tjetër aksident i rëndë në vendin e punës në Greqi, ndërsa hetimet do të përcaktojnë rrethanat dhe shkaqet e tragjedisë.
© SYRI.net