Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, mori pjesë në Maqedoninë e Veriut në tryezën për vijimin dhe zgjerimin e Task Forcës së Përbashkët kundër Migracionit të Parregullt.
Gjatë takimit, Hita kërkoi forcimin e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit për të luftuar migracionin e parregullt dhe krimin e organizuar, duke propozuar përfshirjen me të drejta të plota të Greqisë dhe Bosnjës e Hercegovinës në këtë mekanizëm.
Sipas Policisë së Shtetit, Task Forca Shqipëri–Mbretëri e Bashkuar, e krijuar në vitin 2023 dhe e zgjeruar më pas me Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, ka forcuar bashkëpunimin përmes operacioneve të përbashkëta, shkëmbimit të informacionit dhe trajnimeve.
“Task Forca është më shumë se një mekanizëm bashkëpunimi; është një shembull konkret i asaj që mund të arrijmë kur informacioni, ekspertiza dhe veprimi operacional i vendeve tona bashkohen në kohë”, u shpreh Hita, sipas njoftimit të Policisë së Shtetit.
