
Shqipëria ka marrë miratimin për mbylljen e negociatave për Kapitullin 20, që lidhet me politikën industriale dhe të sipërmarrjes, në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale, ku e cilëson këtë zhvillim si një hap drejt realizimit të objektivit historik të anëtarësimit të vendit në BE.
“Shqipëria mbyll kapitullin e parë, nis numërimi mbrapsht i kohës drejt objektivit historik. Drita jeshile nga BE për mbylljen e negociatave të Kapitullit 20 forcon perspektivën për investime, inovacion, konkurrueshmëri dhe punësim”, shkruan Rama.
Kapitulli 20 përfshin politikat që lidhen me zhvillimin e industrisë dhe sipërmarrjes, si dhe me rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë.
Miratimi për mbylljen e negociatave për këtë kapitull shënon një tjetër hap në rrugën e integrimit europian të Shqipërisë, ndërsa vijon procesi për përmbushjen e kushteve të anëtarësimit në Bashkimin Europian./Versus.al

