Policia greke ka arrestuar dy shqiptarë, të moshës 44 dhe 23 vjeç, si dhe një shtetas grek 29-vjeçar, në kuadër të një operacioni kundër trafikut të lëndëve narkotike në Athinë. Gjatë ndërhyrjes janë sekuestruar mbi 35 kilogramë kokainë, më shumë se 256 kilogramë marijuanë dhe mbi 55 kilogramë hashash në formë çokollate.
Sipas autoriteteve greke, ndaj tre të arrestuarve janë ngritur akuza për blerje, posedim dhe trafikim të lëndëve narkotike, si dhe për dhunë ndaj punonjësve të policisë. Njëri prej shqiptarëve, 44 vjeç, rezulton të ketë precedentë të shumtë penalë, përfshirë edhe një vepër penale të lidhur me vrasjen.
Operacioni u zhvillua pas një pune hetimore që përfshiu mbledhjen dhe analizimin e informacionit, kontrolle policore dhe verifikime të kryqëzuara të të dhënave për personat e dyshuar.
Në një zonë të Athinës Verilindore, policia gjeti në posedim të 44-vjeçarit shqiptar 3 kilogramë e 215 gramë kokainë, që dyshohet se ishte destinuar për trafikim.
Ndërkohë, në një zonë të Athinës Perëndimore, me ndihmën e efektivëve të skuadrës DIAS, u lokalizua 29-vjeçari grek. Në bagazhin e automjetit të tij u gjetën 10 kilogramë e 800 gramë marijuanë dhe 3 kilogramë e 900 gramë hashash në formë çokollate.
Hetimet e mëtejshme zbuluan se këto sasi droge u ishin furnizuar më herët dy të arrestuarve nga 23-vjeçari shqiptar, i cili dyshohet se vepronte edhe në emër të një personi tjetër.
Gjatë kontrollit në një banesë në Artemida, të marrë me qira nga një person ende i paidentifikuar për periudhën 6–13 tetor, policia zbuloi sasi të mëdha narkotikësh. Aty u sekuestruan 32 kilogramë e 65 gramë kokainë, 245 kilogramë e 700 gramë marijuanë dhe 51 kilogramë e 600 gramë hashash në formë çokollate.
Kontrolle u kryen edhe në banesat e dy personave të tjerë të arrestuar, me mbështetjen e efektivëve të Nëndrejtorisë së Inteligjencës dhe Veprimeve Speciale, ku u gjetën sasi të tjera të lëndëve narkotike.
Në total, gjatë operacionit u sekuestruan 35 kilogramë e 400 gramë kokainë, 256 kilogramë e 503,3 gramë marijuanë dhe 55 kilogramë e 500,9 gramë hashash në formë çokollate.
Përveç drogës, policia sekuestroi edhe 170 euro, një automjet, shtatë telefona celularë, tri karta memorieje, doreza, një numër të madh paketimesh najloni dhe katër çelësa.
Një tjetër detaj që tërhoqi vëmendjen e autoriteteve ishte paketimi i hashashit në formë çokollate. Në ambalazhe ishin vendosur fotografitë e presidentit amerikan Donald Trump, presidentit rus Vladimir Putin, kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, trafikantit të njohur të drogës Pablo Escobar, si dhe logoja e një kompanie të njohur këpucësh.
Hetimet për rastin vijojnë për të zbardhur plotësisht aktivitetin e dyshuar të grupit dhe për të identifikuar personat e tjerë që mund të jenë të përfshirë.


