Federata Turke e Futbollit ka vendosur të ndërpresë bashkëpunimin me trajnerin Vincenzo Montella.
Vendimi u mor të premten, pas një mbledhjeje të bordit drejtues të federatës, ku u diskutuan edhe ndryshime të tjera në strukturën organizative të institucionit.
Në një njoftim zyrtar, federata bëri të ditur se ka vendosur të mos vazhdojë më bashkëpunimin me trajnerin italian, pa dhënë detaje të tjera mbi arsyet e këtij vendimi.
Përveç vendimit për Montellën, bordi drejtues i Federatës Turke të Futbollit shqyrtoi edhe çështje që lidhen me drejtimin e institucionit.
Pavarësisht kërkesave për thirrjen e një asambleje të jashtëzakonshme me zgjedhje, bordi vendosi të qëndrojë në detyrë deri në kongresin e rregullt zgjedhor.
Në kuadër të ndryshimeve organizative, Ibrahim Ozbay dhe Metin Akyuz u emëruan anëtarë të plotë të bordit, duke zëvendësuar Ural Akuzum dhe Mevlut Aktan, të cilët kishin dhënë dorëheqjen nga pozicionet e tyre.
Gjithashtu, Ahmet Erzurumlu, i cili deri tani ushtronte detyrën e drejtorit të çështjeve të regjistrimit, u emërua sekretar i përgjithshëm i federatës. Ai zëvendëson Abdullah Ayaz, i cili kishte paraqitur dorëheqjen ditët e fundit.