"Agasin po e përpunoja" / Deklarata që nxori zbuluar Vlora Hysenin para SPAK, çfarë tha ish-drejtuesja e SHISH në Prokurori

Marrëdhënia mes ish-drejtueses së shkarkuar të SHISH, Vlora Hysenit dhe biznesmenit të arrestuar në fundin e gushtit, Ergys Agasi, u komentua në emisionin “Në Shënjestër” të Klodiana Lalës.
Në dokumentar sqarohet se një deklaratë e drejtueses së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, gjatë komunikimit me prokurorët e SPAK, ka ngritur pikëpyetje mbi marrëdhënien e saj me Ergys Agasin dhe mënyrën se si ishte trajtuar ky shtetas nga shërbimi i inteligjencës.
Emisioni sjell në vëmendje dëshminë e Hysenit përpara prokurorëve të posaçëm më 18 shtator, kur ajo u pyet për raportin e saj me Ergys Agasin, ku Hyseni deklaroi se Agasi ishte bashkëpunëtor i SHISH-it, duke lënë të kuptohej se ai po trajtohej nga vetë ajo në kuadër të veprimtarisë së shërbimit.
“Vlora Hyseni nuk ishte e panjohur me organin e akuzës. Më 18 shtator gruaja që drejtonte shërbimin e inteligjencës në vend, ishte marrë në pyetje nga prokurorët e posaçëm.
Në komunikimin e parë me ta, e pyetur për marrëdhënien e saj me shtetasin Ergys Agasi, ajo deklaroi se ai ishte për të një bashkëpunëtor i SHISH, duke lënë të kuptohej se Agasi ishte në përpunim nga ajo vetë.
Një rast i paprecedentë se si drejtuesja madhore e SHISH, të kryente njëkohësisht edhe operativen në terren dhe mbi të gjitha Agasi të mos kishte dijeni se po merrej në përpunim nga kryespiunia e inteligjencës.
Për më tepër të mos njihte drejtuesen madhore të Shërbimit Informativ Shtetëror, gjë e cila në fakt u rrëzua nga vetë SPAK, pasi Vlora Hyseni nuk kishte raportuar në institucionin që ajo vetë drejtonte se kishte në përpunim shtetasin Ergys Agasi”, thuhet në dokumentar.


