‘Një nga historitë më të turpshme në historinë e parlamentit’ e quajti kryetari i PD-së, Sali Berisha votimin vetëm me votat të maxhorancës të reformës territorial e cila shkrin 15 bashki.
Në një prononcim për gazetarët në përfundim të foltores së ripërtëritjes organizuar sot pasdite në teatrin ‘Bylis’ në Fier Berisha premtoi se anulimi i kësaj reforme do të jetë një nga aktet e para me të ardhur në qeveri.
Berisha garantoi se me ardhjen e PD-së në pushtet, qeverisja lokale do t'i rikthehet komuniteteve dhe qëllim ripopullimin e Shqipërisë.
Duke u ndalur tek deputetët socialist të cilët në foltore u shprehën kundër ndërsa me votë ishin pro reformës, Berisha tha se kanë bërë pazare me kryeministrin Rama.
Sali Berisha: Absolutisht. Do të jetë një nga aktet më të para. Ne do rikthejmë qeverisjen vendore në të gjitha zonat dhe të gjitha komuniteteve që plotësojnë kriteret më minimale. Pa asnjë dyshim. Dhe kjo do të jetë një nga shtyllat e politikës për ripopullimin e Shqipërisë.
Ne do të bëjmë gjithçka për të ripopulluar këtë vend. Kjo që bën kjo qeveri është politikë e shpopullimit.
Pyetje: Si ju ngjanë lotët e Braçes?
Sali Berisha: Nuk po shprehem për të, sepse ata janë mjerimi njerëzor. Se njeriu nuk e dorëzon veten nëse vërtet mendon se është e keqe nuk pajtohet kurrë me këtë.
Ata dje treguan veten pa karakter. Kanë bërë pazare gjithë ditën me njëri tjerin e në fund shkuan e votuan me 85 vota një akt që do të mbetet historia më e turpshme në historinë e parlamentit.
Pyetje: Zoti Berisha, a mund të rikonstruktohet, a mund të riformatohet një forcë politike me një frymë të re, me figura të reja, me të njëjtin lider?
Sali Berisha: Pa diskutim. Rruga më e shkurtër, më e sigurtë është kjo që thoni ju.
Pyetje: A vjen PD-ja në pushtet me Berishën kryeministër?
PD-ja me ripërtëritjen që ka ndërmarrë dhe do ndërmarrë, do vijë në pushtet të ripërtërijë Shqipërinë. PD-ja ka një vullnet të hekurt për të ripërtërirë Shqipërinë
Me miratimin e reformës së re, 15 bashki kanë humbur statusin e tyre si njësi të veçanta vendore, ndërsa territori do të organizohet tashmë në 46 bashki. Miratimi i kësaj reforme u shoqërua me diskutime, debate dhe kundërshti të forta politike nga opozita e cila ka kritikuar vazhdimisht mungesën e konsensusit dhe ka ngritur shqetësime për pasojat që shkrirja e bashkive do të ketë për përfaqësimin, administrimin dhe ofrimin e shërbimeve për banorët.
© SYRI.net