Vëlla e motër, rreth 30 vjeç, janë vrarë me armë zjarri në fshatin Livoç i Ulët, në Gjilan të Kosovës. I dyshuari për ngjarjen është vetëdorëzuar në polici.
Viktimat janë identifikuar si Egzon Bogujevci dhe motra e tij, Nafije Bogujevci. Sipas informacioneve të bëra publike, autor i dyshuar i vrasjes është Valon Ramushi, bashkëshorti i Nafijes, i cili pas ngjarjes është dorëzuar në polici.
Ngjarja e rëndë u regjistrua të premten, më 9 tetor 2026. Sipas Policisë së Kosovës, rreth orës 14:25, Stacioni Policor në Gjilan mori informacion për të shtëna me armë zjarri në Livoç të Ulët.
Në vendngjarje mbërritën njësitë përkatëse policore dhe dy prokurorë të Shtetit. Egzon Bogujevci u gjet pa shenja jete brenda një automjeti, ndërsa Nafije Bogujevci u dërgua në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, por mbërriti pa shenja jete. Sipas dyshimeve fillestare, të dy janë qëlluar me armë zjarri nga i njëjti person.
Gjatë incidentit, një person tjetër mbeti i plagosur. Pas marrjes së ndihmës së parë në Emergjencën e Spitalit të Gjilanit, ai u transferua në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtejshëm mjekësor.
Policia bëri të ditur se, sipas informacioneve fillestare, mes të dyshuarit dhe viktimave ekzistonte një lidhje familjare. Megjithatë, motivi i ngjarjes ende nuk është përcaktuar.
Gjatë veprimeve policore është sekuestruar edhe një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në krim. Sipas informacioneve të publikuara, i dyshuari, Valon Ramushi, është biznesmen dhe ushtron aktivitetin e tij në zonën e Gjilanit.
Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal. Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe njësitë përkatëse hetimore, po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e vrasjes së dyfishtë, për të përcaktuar motivin dhe për të dokumentuar rastin.


