Një ekskursion shkollor në Monte Karlo është kthyer në objekt polemikash në Maqedoninë e Veriut, pas akuzave se drejtoresha dhe ndihmësdrejtori i një shkolle profesionale kanë luajtur në kazino, ndërsa nxënësit që shoqëronin kanë pritur në holl.
Sipas Jovançe Manaskovit, kryetarit të Komisionit për Arsim dhe Shkencë të LSDM-së, personat e përfshirë në pretendime janë Zhaneta Servini, drejtoreshë, dhe Lupço Zdravkovski, ndihmësdrejtor i Qendrës Rajonale për Arsim dhe Trajnim Profesional “Gjorgji Naumov” në Manastir.
Manaskov pretendon se dy drejtuesit kanë qëndruar në makinat elektronike të lojërave të fatit, ndërsa nxënësit e mitur i kanë pritur në ambientet e kazinosë. Sipas tij, për rastin ka video dhe fotografi, të cilat pritet të publikohen me fytyrat e nxënësve të turbulluara, për të ruajtur identitetin e tyre.
“Ky është një rast imoral dhe për këtë arsye kërkojmë përgjegjësi nga i pari te i fundit”, deklaroi Manaskov.
Deri në momentin e raportimit, nuk ka pasur një reagim publik nga drejtoresha, ndihmësdrejtori apo ministria për akuzat. Pretendimet mbeten për t’u verifikuar nga institucionet kompetente.











