Politologu Ermal Hasimja ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me reformën territoriale, duke e cilësuar atë si një nismë të ndërtuar në funksion të interesave të Partisë Socialiste.
Sipas politologut, ndryshimet synojnë të eliminojnë bashkitë ku fiton opozita dhe të përqendrojnë më tej pushtetin në duart e kryeministrit Edi Rama.
“Reforma territoriale është qepur për interesat ekskluzive të PS-së. Nuk kemi të bëjmë më thjesht me ata ‘që hanë kumbulla’ pas shpine. Tani abuzimi është kthyer në ligj”, shkruan ai.
Hasimja i cilëson si të pabesueshme argumentet e mazhorancës për reformën, ndërsa e përshkruan situatën në vend si një privatizim të pushtetit.
“Shqipëria është privatizuar. Është një fermë e madhe ku pronari na sheh si lopë për t’u mjelë dhe kuaj për të punuar”, shprehet analisti.
Në fund të reagimit, ai u drejtohet votuesve, aktivistëve, intelektualëve dhe nëpunësve, duke i ftuar të reflektojnë mbi zhvillimet politike dhe qëndrimin që duhet të mbajnë.
Hasimja e mbyll mesazhin me shprehjen: “Nëse nuk je në tavolinë, je në meny”, të cilën ia atribuon kryeministrit kanadez.














