Kthimi i presidentit rus Vladimir Putin në Moskë dyshohet se është vonuar për shkak të aktivitetit të dronëve ukrainas, të cilët shënjestruan kryeqytetin rus dhe zonën përreth aeroporteve. Mbërritja e tij përkoi me kufizimet e përkohshme të fluturimeve dhe vonesat e regjistruara në aeroportet e Moskës.
Putin po kthehej nga Turkmenistani, ku kishte marrë pjesë në një samit të Komonuelthit të Shteteve të Pavarura (CIS).
Sipas raportimeve të mediave të huaja, të dhënat nga platformat e gjurmimit të fluturimeve treguan se tre avionë qeveritarë rusë, të përdorur për transportin e zyrtarëve të lartë, qëndruan në ajër dhe kryen manovra rrethore përpara se të merrnin lejen për t’u ulur.
Megjithatë, nuk është konfirmuar se në cilin prej avionëve ndodhej Putin dhe nëse vonesa e uljes së tij lidhej drejtpërdrejt me aktivitetin e dronëve ukrainas.
Incidenti solli ndërprerje të përkohshme të fluturimeve dhe vonesa në aeroportet e kryeqytetit rus, ndërsa rrethanat e sakta të vonesës së mundshme të presidentit mbeten të paqarta.


