AKTUALITET /

Paketuan 347 kg drogë me fotot e Trump, Putin dhe Netanyahut, zbulohet magazina në Greqi. Në pranga dy shqiptarë dhe një grek

Në pranga ranë dy shqiptarë, të moshave 44 dhe 23 vjeç, si dhe një shtetas grek 29-vjeçar.

Shkruar nga Versus

Paketuan 347 kg drogë me fotot e Trump, Putin dhe Netanyahut, zbulohet

Një operacion antidrogë në Athinë ka çuar në arrestimin e dy shtetasve shqiptarë dhe një greku, si dhe në sekuestrimin e mbi 347 kilogramëve lëndë narkotike. Ajo që ka tërhequr vëmendjen e autoriteteve greke janë paketimet e drogës, ku shfaqeshin fotografitë e presidentit amerikan Donald Trump, presidentit rus Vladimir Putin, kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe trafikantit të njohur Pablo Escobar.

Operacioni u zhvillua më 7 tetor 2026, në disa zona të Athinës. Në pranga ranë dy shqiptarë, të moshave 44 dhe 23 vjeç, si dhe një shtetas grek 29-vjeçar. Sipas policisë greke, ata dyshohen për blerje, mbajtje dhe trafikim të lëndëve narkotike, si dhe për dhunë ndaj punonjësve të policisë.

Fillimisht, policia ndaloi 44-vjeçarin shqiptar në verilindje të Athinës, ku gjatë kontrollit i gjeti 3 kilogramë e 215 gramë kokainë, që dyshohet se ishte destinuar për shitje.

Në një tjetër ndërhyrje, në perëndim të kryeqytetit grek, u arrestua 29-vjeçari grek. Në bagazhin e automjetit të tij u gjetën 10 kilogramë e 800 gramë marijuanë e llojit “Skunk” dhe 3 kilogramë e 900 gramë hashash i njohur si “çokollatë”.

Nga hetimet rezultoi se këto sasi droge dyshohet se ishin furnizuar nga shqiptari 23-vjeçar, i cili vepronte edhe për llogari të një personi tjetër.

Pas arrestimeve, policia kontrolloi banesën ku qëndronte 23-vjeçari shqiptar, në zonën e Artemidës, pranë Athinës. Sipas hetimeve, apartamenti ishte marrë me qira nga një person ende i paidentifikuar për periudhën 6–13 tetor 2026.

Brenda banesës, efektivët zbuluan sasi të mëdha lëndësh narkotike. Konkretisht, u sekuestruan 32 kilogramë e 65 gramë kokainë, 245 kilogramë e 700 gramë marijuanë e llojit “Skunk” dhe 51 kilogramë e 600 gramë hashash “çokollatë”.

Gjatë ndërhyrjes, 23-vjeçari shqiptar dyshohet se ka bërë rezistencë, duke shtyrë efektivët në përpjekje për të penguar kontrollin.

Kontrolle u ushtruan edhe në banesat e dy të arrestuarve të tjerë, ku u gjetën sasi të tjera lëndësh narkotike.

Sipas autoriteteve greke, 44-vjeçari shqiptar ka një të kaluar të rëndë penale. Ai është akuzuar më parë për vrasje, grabitje, vjedhje, falsifikim, si dhe për shkelje të legjislacionit për armët dhe lëndët narkotike./Versus.al

Poll