Tuneli i Skërficës, pjesë e aksit Kardhiq-Delvinë, është përballur me probleme të përsëritura me depërtimin e ujit, ndërsa ndërhyrjet për mirëmbajtjen e tij nuk kanë shmangur rikthimin e problematikës.
Pikërisht për këtë çështje, udhëtuam drejt Gjirokastrës për të kërkuar përgjigje nga drejtori i Drejtorisë Rajonale Jugore të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Andi Shkurta.
Por ajo që nisi si një kërkesë për sqarime mbi gjendjen e një vepre që ka kushtuar miliona euro nga taksat e qytetarëve shqiptarë, përfundoi me një denoncim në polici.
Tuneli i Skërficës është pjesë e aksit Kardhiq-Delvinë, një projekt me vlerë totale rreth 145 milionë euro. Vetë tuneli është raportuar me një kosto prej rreth 23 milionë eurosh.
Vepra u inaugurua disa vite më parë, në një ceremoni ku morën pjesë Kryeministri Edi Rama dhe drejtues të lartë të qeverisë dhe pushtetit vendor.
Por pas hapjes për qarkullim nisën edhe problematikat. Gjatë periudhave me reshje të dendura, në tunel është konstatuar prani e ujit, duke ngritur pikëpyetje mbi sistemin e drenazhimit dhe ndërhyrjet e kryera për mirëmbajtjen e tij. Po ashtu pikëpyetje ngrihen mbi procedurat e prokurimit të zhvilluara për mirëmbajtjen e lotit 7, ku përfshihet tuneli.
Prania e ujit në tunel, tregon jo vetëm cilësinë e dobët të punimeve, por është dhe si një këmbanë alarmi për sigurinë e automjeteve dhe qytetarëve që lëvizin çdo ditë në këtë aks. Përballja me drejtorin e ARRSH, për Rajonin Jugor Gjirokastër, Andi Shkurta, nuk shkoi ashtu siç pritej, pasi pyetjet filluan ta vendosnin në siklet drejtorin, i cili u largua, duke shtyrë gazetarin dhe në fund duke u mbyllur në zyrën e parë që gjeti një derë hapur.
Përballja përfundon në polici. Pak minuta pasi ekipi i “Piranjave” largohet nga ambientet e ARRSH-së, zoti Shkurta i është drejtuar Policisë së Gjirokastrës, duke pretenduar se ishte dhunuar.Për këtë arsye, ne u paraqitëm vetë pranë policisë për të dhënë shpjegimet e tij mbi incidentin.
Ndërkohë drejtori, mesa duket i ndihmuar nga shefat e Policisë, për të shmangur sërish një përballje me ne, largohet nga dyert e pasme të Policisë së Gjirokastër. Por ne, do të rikthehemi me një tjetër përballje me drejtorin e ARRSH-së për Rajonin Jugor, Andi Shkurta, për të kërkuar përgjigje për këto çështje dhe jo vetëm kaq…/Piranjat
© SYRI.net