
Një biznesmen 61-vjeçar në Itali po gjykohet për vrasje nga pakujdesia në aksident rrugor, pasi përplasi për vdekje me fuoristradën e tij shqiptarin Gjin Lushaj, 78 vjeç.
Aksidenti tragjik ndodhi më 27 mars 2024, në rrugën Via Raffaello Sanzio, në Senigallia, ku i moshuari po kthehej me biçikletë në shtëpi nga pazari. Ai ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra.
Gjatë seancës së fundit në Gjykatën e Ankonës, një oficer i Policisë Rrugore paraqiti detaje nga rindërtimi i aksidentit. Sipas dëshmisë së tij, automjeti tip Mercedes GLS Coupé SUV po lëvizte me 70 kilometra në orë, në një segment ku shpejtësia e lejuar ishte 50 kilometra në orë.
Hetuesit kanë përdorur pamjet e kamerave të dy bizneseve pranë vendit të ngjarjes, si dhe të dhënat e regjistruara nga kutia e zezë e automjetit.
Sipas oficerit, 78-vjeçari kishte nisur të kalonte rrugën pasi kishte kaluar një makinë tjetër dhe pothuajse e kishte përfunduar kalimin kur u godit. Biçikleta u gjet 18 metra larg pjesës së pasme të fuoristradës.
Mbrojtja pyeti nëse shikueshmëria e drejtuesit të automjetit mund të ishte penguar nga një makinë tjetër, por sipas dëshmisë, kjo mundësi u përjashtua.
Gjin Lushaj jetonte prej vitesh në Senigallia. Familja e tij është përfaqësuar në procesin civil nga avokatët Elisabetta Saraga dhe Alessandro Angeletti. Në proces është përfshirë edhe kompania e sigurimit të automjetit.
Seanca e radhës gjyqësore është caktuar për në fund të janarit. Biznesmeni po gjykohet për akuzën e vrasjes nga pakujdesia në aksident rrugor./Versus.al
View this post on Instagram

