Një rrëmbim në mes të trazirave të 1997-ës, një garazh i kthyer në dhomë torture dhe një ekzekutim makabër që vazhdon të rëndojë mbi familjen Pema. Gati 30 vite më pas, detajet e një prej krimeve më të rënda të asaj kohe rikthehen në dritë me pyetjen që mbetet e njëjtë, kush janë vrasësit?
Gjithçka ndodhi në qershorin e vitit 1997 kur Eduard Pema dhe Arjan Avdullai u morën me forcë nga persona të armatosur. Sipas dëshmive të dhëna nga nëna dhe vëllai i Eduard Pemës, por dhe referuar dëshmive të dhëna gjatë seancave gjyqësore, të rinjtë u dërguan në një garazh, ku u lidhën dhe u torturuan.
Ronaldo Pema, vëllai i viktimës atëherë vetëm 14 vjeç, tregon se pa me sytë e tij të vëllanë duke u goditur me qytën e kallashnikovit, duke e torturuar e më pas ekzekutuar e djegur. Por ajo që ndodhi më pas ishte edhe më e rëndë. Sipas tij, të rinjtë u nxorën nga garazhi, u dërguan në sheshin e Vakëfit, u lidhën pas një makine dhe iu vu flaka.
Familjarët do të përballeshin më pas me një skenë ku pavarësisht se po bëhen tre dekada nga ngjarja dhimbja dhe tmerri mbeten njësoj si atë ditë. Ndërkohë, 16 vite më vonë, zhvarrosja e Eduard Pemës do të sillte një tjetër kthesë. Ekspertiza mjeko-ligjore konstatoi dëmtime të shumta në skelet dhe pjesë metalike të predhave të armëve të zjarrit, duke dokumentuar gjurmë të qitjes me armë.
Një krim me dëshmi kontradiktore, akuza për presione ndaj dëshmitarëve dhe një betejë e gjatë në gjykata.Në fund të prçeseve gjyqësore, vetëm Benjamin Hajro u dënua, ndërsa tre të akuzuar të tjerë morën pafajësi.
Sot, pas gati tre dekadash, familja Pema ende kërkon përgjigje. Kush e urdhëroi masakrën? Pse u torturuan të rinjtë? Dhe çfarë ndodhi realisht në garazhdin e Vakëfit atë natë të errët të vitit 1997?
Kjo është vetëm pjesa e parë e një prej ngjarjeve që dhe sot trondit Beratin, ndërkohë në pjesën e dytë, do të zbulojmë akoma më shumë, disa pyetje marrin përgjigje dhe një rrëfim ekskluziv./Piranjat
© SYRI.net