
Një operacion antidrogë në Athinë ka çuar në arrestimin e dy shtetasve shqiptarë dhe një greku, si dhe në sekuestrimin e mbi 347 kilogramëve lëndë narkotike. Ajo që ka tërhequr vëmendjen e autoriteteve greke janë paketimet e drogës, ku shfaqeshin fotografitë e presidentit amerikan Donald Trump, presidentit rus Vladimir Putin, kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe trafikantit të njohur Pablo Escobar.
Operacioni u zhvillua më 7 tetor 2026, në disa zona të Athinës. Në pranga ranë dy shqiptarë, të moshave 44 dhe 23 vjeç, si dhe një shtetas grek 29-vjeçar. Sipas policisë greke, ata dyshohen për blerje, mbajtje dhe trafikim të lëndëve narkotike, si dhe për dhunë ndaj punonjësve të policisë.
Fillimisht, policia ndaloi 44-vjeçarin shqiptar në verilindje të Athinës, ku gjatë kontrollit i gjeti 3 kilogramë e 215 gramë kokainë, që dyshohet se ishte destinuar për shitje.
Në një tjetër ndërhyrje, në perëndim të kryeqytetit grek, u arrestua 29-vjeçari grek. Në bagazhin e automjetit të tij u gjetën 10 kilogramë e 800 gramë marijuanë e llojit “Skunk” dhe 3 kilogramë e 900 gramë hashash i njohur si “çokollatë”.
Nga hetimet rezultoi se këto sasi droge dyshohet se ishin furnizuar nga shqiptari 23-vjeçar, i cili vepronte edhe për llogari të një personi tjetër.
Pas arrestimeve, policia kontrolloi banesën ku qëndronte 23-vjeçari shqiptar, në zonën e Artemidës, pranë Athinës. Sipas hetimeve, apartamenti ishte marrë me qira nga një person ende i paidentifikuar për periudhën 6–13 tetor 2026.
Brenda banesës, efektivët zbuluan sasi të mëdha lëndësh narkotike. Konkretisht, u sekuestruan 32 kilogramë e 65 gramë kokainë, 245 kilogramë e 700 gramë marijuanë e llojit “Skunk” dhe 51 kilogramë e 600 gramë hashash “çokollatë”.
Gjatë ndërhyrjes, 23-vjeçari shqiptar dyshohet se ka bërë rezistencë, duke shtyrë efektivët në përpjekje për të penguar kontrollin.
Kontrolle u ushtruan edhe në banesat e dy të arrestuarve të tjerë, ku u gjetën sasi të tjera lëndësh narkotike.
Sipas autoriteteve greke, 44-vjeçari shqiptar ka një të kaluar të rëndë penale. Ai është akuzuar më parë për vrasje, grabitje, vjedhje, falsifikim, si dhe për shkelje të legjislacionit për armët dhe lëndët narkotike./Versus.al

