Dy pikturat e piktorit të njohur francez Pierre-Auguste Renoir, të vjedhura muajin e kaluar nga muzeu “Renoir” në Cagnes-sur-Mer, në jug të Francës, janë gjetur nga policia disa javë pas grabitjes.
Lajmi u raportua fillimisht nga televizioni francez “BFMTV”, i cili citoi burime pranë hetimit. Zbulimi u konfirmua më pas edhe nga kryebashkiaku i Cagnes-sur-Mer, Bryan Masson, për disa media franceze.
Sipas gazetës “Nice-Matin”, veprat u gjetën në rajonin Provence-Alpes-Côte d’Azur dhe, nga vlerësimet paraprake, duket se nuk kanë pësuar dëmtime.
Bëhet fjalë për pikturat “Madame Colonna Romano” dhe “Jeune femme au puits” (“Gruaja e re te pusi”), të realizuara nga Renoir, një prej përfaqësuesve më të njohur të impresionizmit francez, i cili jetoi nga viti 1841 deri në vitin 1919.
Vlera e përbashkët e dy veprave vlerësohej nga 8 deri në 10 milionë euro, sipas “BFMTV”, që iu referua një burimi pranë hetimit.
Grabitja ndodhi më 8 shtator, kur dy persona të dyshuar hynë me forcë në muzeun që ndodhet në ish-shtëpinë ku Renoir kaloi vitet e fundit të jetës së tij. Autorët hynë përmes gardhit të kopshtit dhe sharruan mbajtëset e katër pikturave.
Ata arritën të largoheshin me dy prej veprave, ndërsa dy të tjerat i braktisën gjatë arratisjes, pas mbërritjes së policisë. Sipas prokurorisë, të katër pikturat ishin ndër veprat me vlerën më të lartë në muze.
Në kuadër të hetimeve, disa persona u arrestuan në departamentet Alpes-Maritimes dhe Hérault, në jug të Francës, si dhe në Jura, në lindje të vendit. Dy prej tyre dyshohen për përfshirje në grabitje.
Gjetja e pikturave përbën një zhvillim të rëndësishëm në hetimin për vjedhjen e veprave të artit me vlerë miliona euro.


