Koçeku komenton seancën e Reformës Territoriale: Ishte “falso”

9 Tetor 2026 | 22:35

Deputetja e shkëputur nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, Marjana Koçeku, ka kritikuar qëndrimet e disa deputetëve socialistë për Reformën Territoriale, duke i cilësuar debatet dhe kundërshtimet e shfaqura para votimit si të pavërteta, pasi nuk u reflektuan në rezultatin përfundimtar.

E ftuar në emisionin “Review” me Greta Topjanën në Euronews Albania, Koceku komentoi zhvillimet gjatë seancës maratonë të Kuvendit, ku u miratua Reforma Territoriale, ndërsa jashtë parlamentit protestonin qytetarë nga bashkitë që preken nga riorganizimi dhe protestuesit e “Revolucionit Flamingo”.

Ajo u ndal edhe te tensionet jashtë Kuvendit, duke akuzuar Policinë për përdorim të tepruar dhe të pajustifikuar të forcës ndaj protestuesve.

Koceku tha se kishte pasur pritshmëri për një rezultat ndryshe në votim, duke pasur parasysh qëndrimet kundërshtuese të disa deputetëve socialistë në ditët para seancës.

Sipas saj, mundësia për të kundërshtuar linjën e partisë është momenti kur një politikan mund të dëshmojë qëndrimin e tij.

“Çdo politikani i jepet mundësia për me e tregu veten. Disa kanë pas 30 vjet edhe kurrë nuk arrijnë për me e tregu veten, dhe për mua këta lloj politikanësh mbesin gjithmonë në hije”, u shpreh Koceku.

Duke komentuar faktin se kundërshtimet e shprehura para votimit nuk u përkthyen në vota kundër, deputetja e pavarur tha se një sjellje e tillë e zhvlerëson debatin politik.

“Ajo çka ndodhi me rezultatin final ishte falso për të treguar që ka debat, dhe në fund përdoret më shumë për kredo personale politike, për populizëm. Përderisa nuk u përkthye në votë finale, atëherë i humbet vlera dhe serioziteti çdo lloj kontestimi ndryshe ndaj urdhrit partiak ose asaj që vjen nga kryesia e partisë”, deklaroi ajo.

Koceku theksoi se në politikën shqiptare vijon të mbizotërojë përshtatja me qëndrimet e imponuara nga hierarkia partiake. Sipas saj, pavarësisht kostove që mund të ketë një qëndrim kundër shumicës, deputetët duhet të udhëhiqen edhe nga ndërgjegjësimi qytetar.

“Pra, jeta politike ka kostot e veta si asnjë lloj jete tjetër publike, por në momentin që bëhesh pjesë e saj besoj se duhet me mbizotëru edhe një dozë e lartë e ndërgjegjësimit qytetar. Aq më tepër mbi nevojat që ka vendi jonë. Është e vështirë sigurisht, por nuk është e pamundur”, u shpreh deputetja.

Ajo solli në vëmendje edhe protestat që, sipas saj, vijojnë prej afro 140 ditësh në Tiranë, si dhe kërkesat e përsëritura të qytetarëve brenda vendit dhe diasporës.

Gjatë bisedës me Greta Topjanën, Koceku komentoi edhe qëndrimet e deputetëve socialistë që, ndonëse ishin shprehur kundër reformës në ditët para votimit, në fund votuan pro.

E pyetur nëse mund të ketë pasur presion politik apo marrëveshje brenda grupit parlamentar, ajo iu referua raportimeve për një takim mes kryeministrit Edi Rama dhe deputetit Erion Braçe, pak para votimit.

Ajo sqaroi se nuk ka të dhëna të sigurta për atë që është diskutuar gjatë takimit me dyer të mbyllura, ndërsa përmendi si një nga hipotezat e diskutuara në komentet politike mundësinë e një premtimi lidhur me garën për Bashkinë e Tiranës.

Ajo shtoi se presioni politik mund të ketë qenë një tjetër element, por theksoi se, pa informacion të konfirmuar, nuk mund të thuhet se çfarë ka ndodhur realisht pas dyerve të mbyllura.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Braçe e pranon në “NOW”: Mu tha nominalisht në mbledhje grupi, po nuk e votove largohu

Deputeti i PS-së, Erion Braçe, ka folur në “NOW” me Erla Mëhillin, në intervistimin e Eksiola Shehut, gazetare e Euronews Albania, lidhur me debatin për...
21:08 | 08/10/2026

Braçe zbulon fjalën e Ramës në mbledhje?! Deputeti i PS për Euronews Albania: M’u tha do protagonizëm individual

Deputeti i PS-së Erion Braçe ka folur sot në mbrëmje për Now me Erla Mëhillin nën intervistimin e Eksiola Shehut, gazetares së Euronews Albania, lidhur...
20:54 | 08/10/2026

Edit Harxhi: Presidentja e Kosovës është me origjinë nga Shkodra

Diplomatja Edit Harxhi ka folur të mërkurën në emisionin “Noë me Erla Mëhillin” për zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës si presidente e re e Kosovës. Harxhi...
22:30 | 07/10/2026