Si u përdor inteligjenca artificiale nga operativët iranianë për përhapjen e lajmeve të rreme në mediat amerikane?

Ervin B. Hoskins prezantohej si gazetar i pavarur amerikan dhe gjatë muajve të fundit kishte botuar dhjetëra shkrime kritike ndaj luftës së Shteteve të Bashkuara kundër Iranit.

Të lidhura

None found

Artikujt e tij, të publikuar në media të vogla amerikane, e përshkruanin SHBA-në si agresore në konfliktin që kishte hyrë në muajin e shtatë, Izraelin si një aleat jo të besueshëm dhe Iranin si palën më të dobët, por të vendosur të mos i nënshtrohej kundërshtarit.

Hetimet kanë treguar se Hoskins nuk ishte shtetas amerikan dhe se pas këtij emri nuk fshihej një gazetar real.

Ai ishte një prej shtatë identiteteve të sajuara të gazetarëve, të cilët paraqiteshin si persona nga Perëndimi. Këto profile u përdorën nga operativë iranianë për të botuar artikuj në media të ndryshme në mbarë botën, mes tyre edhe në Shtetet e Bashkuara.

Operacioni u zbulua nga OpenAI. Në një raport të publikuar më 8 tetor, kompania njoftoi se kishte bllokuar një fushatë ndikimi të lidhur me Iranin, e cila përdorte ChatGPT-në për të shpërndarë në mënyrë të fshehtë propagandë kundër SHBA-së.

OpenAI deklaroi se kishte identifikuar afro 100 artikuj të botuar ose të ribotuar me emrat e autorëve të rremë në rreth një duzinë platformash online në vende të ndryshme të botës.

Sipas kompanisë, bëhej fjalë kryesisht për media të vogla dhe të mesme që trajtonin çështje ndërkombëtare, gjeopolitikë dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme.

Llogaritë e ChatGPT-së të përfshira në këtë aktivitet u mbyllën. Ato përdoreshin për hartimin e artikujve, sugjerimin e temave, si dhe krijimin e komenteve për rrjetet sociale.

Rasti tregon se sistemet e inteligjencës artificiale, të cilat tashmë janë lehtësisht të arritshme, mund të shfrytëzohen për ndërtimin dhe shpërndarjen e propagandës së sofistikuar kundër kundërshtarëve të një shteti, në një përmasë të paprecedentë.

Një prej shkrimeve të lidhura me emrin e Hoskins ishte “Jared Kushner dhe privatizimi i strategjisë së Amerikës ndaj Iranit”. Artikulli u publikua më 12 qershor nga PeaceVoice, një shërbim që shpërndan opinione të intelektualëve publikë dhe materiale mediatike nën drejtimin e Institutit të Paqes në Oregon.

Brenda ditëve pas publikimit, shkrimi u ribotua me tituj të përafërt nga CounterPunch, revistë online amerikane me orientim të majtë, dhe LA Progressive, e cila e cilëson veten si një “publikues i pavarur, i përkushtuar ndaj drejtësisë” me seli në Los Anxhelos.

Interesat financiare të Jared Kushnerit, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump dhe të dërguarit të tij të posaçëm, së bashku me veprimtarinë diplomatike dhe konfliktet e mundshme të interesit, janë trajtuar më herët nga media të mëdha amerikane, përfshirë revistën The New Yorker.

Megjithëse artikulli i botuar nga PeaceVoice, CounterPunch dhe LA Progressive përmendte se Kushneri kishte mbrojtur marrëveshjet e tij të biznesit dhe kishte argumentuar se akuzat nuk përbënin prova korrupsioni, pjesa kryesore e shkrimit mbështeste një qëndrim të njëanshëm dhe i kushtonte pak vëmendje versionit të tij.

Shkrimi i lidhte aktivitetet financiare të Kushnerit me konflikte të mundshme interesi dhe sugjeronte se ato mund të ndikonin në politikën amerikane ndaj Iranit, pa paraqitur prova të qarta për këtë pretendim.

Gjithashtu, ai nuk merrte parasysh faktorë të tjerë që ndikojnë në politikën e SHBA-së ndaj Teheranit, si shqetësimet lidhur me programin bërthamor iranian dhe marrëdhëniet e gjata të Uashingtonit me aleatët kryesorë, përfshirë Izraelin dhe Arabinë Saudite. Përdorimi i termave si “privatizim” e bënte të qartë prirjen editoriale të autorit.

Përveç Hoskinsit, operativët iranianë krijuan edhe gjashtë profile të tjera të rreme gazetarësh. Secili prej tyre kishte llogari në rrjetet sociale, fotografi të prodhuara me inteligjencë artificiale dhe kontribuonte në përhapjen e materialeve të profileve të tjera.

Inteligjenca artificiale u përdor edhe për t’u dërguar propozime për artikuj të gjatë mediave të vogla dhe të mesme në vende të ndryshme. Shkrimet e autorëve të sajuar u shfaqën jo vetëm në media amerikane me prirje të majta, por edhe në botime me orientim liberal.

Ky operacion ka shtuar shqetësimet se qeveri, përfshirë Iranin, po përdorin modele të inteligjencës artificiale për të përhapur propagandë shtetërore dhe për të ndikuar në opinionin publik.

OpenAI e klasifikoi fushatën iraniane në nivelin e katërt të shkallës së saj për përshkallëzimin e operacioneve të ndikimit, e cila mat ndikimin e mundshëm të një fushate dezinformimi. Niveli i gjashtë është më i larti në këtë sistem vlerësimi.

Kompania tha se inteligjenca artificiale mund t’u sigurojë operacioneve të fshehta ndikimi një shtrirje më të madhe, efikasitet më të lartë, gjuhë më të rrjedhshme dhe aftësi më të avancuara redaktuese.

Sipas OpenAI-së, këto avantazhe mund t’u mundësojnë operatorëve të mashtrojnë persona që nuk dyshojnë, përfshirë punonjës dhe redaktorë, si dhe ta çojnë përmbajtjen te audienca që nuk e di se kush e ka krijuar dhe cilat janë motivet pas saj.

OpenAI nuk është e vetmja kompani e teknologjisë së inteligjencës artificiale që ka zbuluar aktivitete të tilla.

Muajin e kaluar, Anthropic deklaroi se institucione shtetërore iraniane po përdornin modele të inteligjencës artificiale, përfshirë aplikacionin e saj Claude dhe Gemini-n e Google-it, për të zhvilluar fushata të “luftës njohëse” dhe për të përhapur narrativa të hartuara nga Korpusi i fuqishëm i Gardës Revolucionare Islamike. Kjo forcë elitare e armatosur e Iranit ka ndikim të rëndësishëm në politikën dhe ekonominë e vendit.

Anthropic njoftoi gjithashtu se kishte ndërprerë veprimtarinë e aktorëve shtetërorë, mes tyre edhe të lidhur me Iranin, të cilët përdornin Claude-in për të “ndërtuar, kryer dhe lehtësuar në forma të tjera operacione mbikëqyrjeje” kundër pakicave etnike dhe disidentëve.

Pooyesh Azizeddin, studiues i të drejtave të njeriut dhe teknologjisë, i cili merret me censurën në internet, mbikëqyrjen dhe lirinë digjitale në Iran, tha për Radion Farda të Radios Evropa e Lirë se inteligjenca artificiale e ka thjeshtuar ndjeshëm prodhimin e propagandës në shumë gjuhë, krijimin e identiteteve të rreme dhe diskreditimin e kritikëve.

Ai paralajmëroi gjithashtu se qeveritë autoritare shpesh e shfrytëzojnë luftën kundër dezinformimit si arsye për të zgjeruar censurën dhe mbikëqyrjen, si dhe për të ushtruar presion që përdoruesit të zbulojnë identitetin e tyre./REL


Shtuar më 10.10.2026 08:13

Quantcast