Mbajti peng 13 fëmijë në një shkollë, rrëmbyesi në Brazil vritet nga policia pas dy orësh negociatash

10 Tetor 2026, 08:25Bota TEMA
Mbajti peng 13 fëmijë në një shkollë, rrëmbyesi

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në qytetin e Curitibas, në Brazil, ku autoritetet vranë një burrë që mbante peng 13 fëmijë në një shkollë, duke i kërcënuar me thikë. Situata zgjati më shumë se dy orë, ndërsa fatmirësisht asnjë prej fëmijëve nuk mbeti i lënduar.

Sipas zëdhënëses së policisë së shtetit Paraná, Leticia Martins, burri hyri me forcë në shkollën CMEI São Braz, duke kapërcyer një mur për të hyrë më pas në një klasë, ku mori peng fëmijët dhe anëtarë të stafit. Gjatë incidentit, ai kërcënoi se do të lyente veten dhe personat e tjerë me benzinë. Ekipet negociuese të policisë mbërritën në vendngjarje dhe tentuan të zgjidhnin situatën, por, sipas Martins, autoritetet nuk gjetën alternativë tjetër përveç neutralizimit të tij.

Zëdhënësja nuk dha detaje se si u vra i dyshuari dhe as për motivet e mundshme të veprimit të tij. Ajo bëri të ditur se disa fëmijë arritën të largoheshin nga shkolla përpara se të niste situata e pengmarrjes. Ndërkohë, komandanti i policisë lokale, Alexandre López Díaz, tha se i dyshuari ishte identifikuar si një person që vuante nga skizofrenia, por nuk bëri publik identitetin e tij. Ngjarja ndodhi në lagjen São Braz të Curitibas, qytet me rreth 1.8 milionë banorë, i vendosur rreth 400 kilometra në jug të São Paulos.

Pamjet e transmetuara nga mediat lokale treguan prindër të shqetësuar që prisnin jashtë shkollës, ndërsa policia zhvillonte negociatat me të dyshuarin. Pas përfundimit të operacionit, efektivët u panë duke nxjerrë fëmijët nga ndërtesa. Bashkia e Curitibas njoftoi se fëmijët dhe personeli i shkollës do të marrin mbështetje psikologjike pas ngjarjes.

Lini një Përgjigje