Një 45-vjeçar me emrin Hitler Musolini Simeon Flores është zgjedhur kryetar bashkie i Queropalca-s, një zonë e largët malore në Peru, duke tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare për shkak të emrave që mban.
Sipas CNN, kandidati i partisë së qendrës së majtë Ahora Nación siguroi një fitore të ngushtë ndaj rivalit të tij nga partia e djathtë Renovación Popular Perú, duke e mundur me vetëm 25 vota diferencë.
Të dhënat e autoriteteve zgjedhore peruane tregojnë se në zgjedhje morën pjesë pak më shumë se 700 votues. Simeon Flores siguroi rreth 34% të votave, ndërsa 229 banorë votuan për të.
Queropalca ndodhet në departamentin e Huánuco-s, rreth 360 kilometra larg kryeqytetit Lima. Zona ka më pak se 1.000 banorë, të cilët do të përfaqësohen nga kryetari i ri i bashkisë.
Ajo që e ka kthyer rezultatin në një kuriozitet ndërkombëtar është emri i tij i plotë, Hitler Musolini Simeon Flores, që përmban emrat e Adolf Hitlerit dhe Benito Musolinit, dy prej figurave më të njohura të regjimeve totalitare në Evropën e shekullit XX.
Media peruane Peru21 e ka cilësuar kandidaturën e tij si një ngjarje të pazakontë, për shkak të lidhjes së emrave me dy diktatorët që lanë gjurmë të rënda në historinë evropiane.
Megjithatë, ky nuk është rasti i parë i këtij lloji në Peru. Në vitin 2018, një tjetër politikan me emrin Hitler Guesclin Alba Sánchez u zgjodh kryetar bashkie i Yúngar-it.


