Tentuan të korruptonin policët rrugorë për të shmangur ndëshkimin me masë administrative, procedohen 3 shtetas në Durrës

Tre drejtues automjetesh janë proceduar penalisht në Durrës dhe Kavajë, pasi dyshohet se tentuan t’u jepnin para punonjësve të Policisë Rrugore, për të shmangur ndëshkimin për shkelje të rregullave të qarkullimit.

Sipas njoftimit të Policisë, gjatë kontrolleve të ushtruara në kuadër të monitorimit të trafikut, u konstatuan dy raste në Durrës dhe një në Kavajë, ku drejtuesit e mjeteve, të cilët kishin dokumentacion të parregullt, tentuan të korruptonin efektivët.

Të lidhura

None found

Për këto raste, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për tre shtetasit K. M., 47-vjeç, dhe E. A., 30-vjeç, të dy banues në Durrës, si dhe A. K., 35-vjeç, banues në Peqin. Ata dyshohen për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Policia Rrugore e Durrësit u ka bërë thirrje drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit, ndërsa qytetarët ftohen të denoncojnë çdo shkelje në numrin 112, duke iu garantuar anonimat dhe reagim nga shërbimet e policisë.


Shtuar më 10.10.2026 09:04

Quantcast