Profesori amerikan Daniel Serwer komenton ligjin për Specialen: BE-ja të vlerësojë ndryshimet, kompromisi për Presidenten ishte pozitiv

10 Tetor 2026, 09:35Rajoni TEMA
Profesori amerikan Daniel Serwer komenton ligjin për Specialen: BE-ja

Profesori amerikan Daniel Serwer ka komentuar ndryshimet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke ia lënë Bashkimit Evropian vlerësimin nëse dispozitat e reja janë në përputhje me detyrimet e Kosovës dhe me synimin për të cilin u krijua Gjykata Speciale. Në një përgjigje për Gazetën Express, Serwer tha se Brukseli duhet të shqyrtojë nëse ndryshimet ligjore garantojnë përmbushjen e misionit kryesor të gjykatës, që lidhet me vënien para përgjegjësisë të personave të dyshuar për krimet e përmendura në raportin e Dick Martyt.

Ndryshimet në ligj u miratuan më 6 tetor, pas vendimit të gjykatës në Hagë për dënimin me gjithsej 81 vjet burgim të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndërhyrjet ligjore prekin disa aspekte të funksionimit të Dhomave të Specializuara, përfshirë juridiksionin, dënimet dhe procedurat. I pyetur nëse këto ndryshime mund të ndikojnë në rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Serwer theksoi se vlerësimi i përket vetë institucioneve evropiane. Sipas tij, janë kriteret e përcaktuara nga BE-ja ato që do të përcaktojnë nëse legjislacioni i ri përbën problem për procesin e integrimit.

Profesori amerikan vlerësoi se qëllimi i ligjit të miratuar nga Kuvendi është që Gjykata Speciale të funksionojë më pranë asaj që, sipas tij, ishte kuptimi i përgjithshëm i mandatit të saj në momentin e krijimit. Megjithatë, ai vuri në dukje se Kosova nuk ka mundësi ta zbatojë vetë këtë legjislacion.

Bashkimi Evropian ka shprehur kundërshtime ndaj ndryshimeve, duke argumentuar se ato bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës. Në reagimin e tij, Unioni ka kërkuar respektimin e plotë të mandatit dhe pavarësisë së Dhomave të Specializuara, të cilat janë pjesë e sistemit juridik të Kosovës dhe të sanksionuara në Kushtetutë. BE-ja ka theksuar gjithashtu se puna e gjykatës bazohet në parimin e përgjegjësisë penale individuale dhe ka kërkuar nga autoritetet kosovare të respektojnë detyrimet që garantojnë pavarësinë gjyqësore, llogaridhënien dhe drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet.

Përveç çështjes së Gjykatës Speciale, Serwer komentoi edhe zgjedhjen e Presidentes së re të Kosovës, e cila erdhi pas një periudhe të gjatë bllokade institucionale dhe shmangu mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme. Ai e vlerësoi pozitivisht kompromisin politik që mundësoi përfundimin e ngërçit, duke theksuar se është një zhvillim i mirë zgjedhja e një presidenteje me kualifikime të larta. Ndërkohë, mbetet për t’u parë nëse ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara do të kundërshtohen në Gjykatën Kushtetuese dhe çfarë pasojash do të kenë ato në funksionimin e këtij institucioni.

Lini një Përgjigje