Florenc Spaho, mjek dhe ish-deputet i Partisë Socialiste, ka treguar dje se një ndërhyrje në kohën e duhur mund të bëjë diferencën mes jetës dhe vdekjes. Administratori i shoqërisë shtetërore Illyrian Guard ka parë se një nga punonjësit e tij kishte pësuar infarkt dhe ka reaguar menjëherë.
Punonjësi 58-vjeçar me inicialet B.M, ndodhej në vendin e punës kur ka pësuar infarkt të miokardit dhe ndodhej në rrezik serioz për jetën. Kolegët kanë njoftuar ambulancën dhe të panikosur, nuk dinin si të reagonin derisa të mbërrinte ndihma mjekësore.
Për situatën është njoftuar dhe administratori Florenc Spaho, i cili nuk ka hezituar në asnjë moment dhe ka nisur masazhin kardiak.
Ai me profesion është mjek dhe duke pasur njohuritë e nevojshme, ka reaguar menjëherë duke e dituar se ato sekonda do të ishin vendimtare për punonjësin 58 vjeçar të Illyrian Guard. Dhe në fakt ashtu ndodhi.
Ndërhyrja e tij rezultoi jetike dhe punonjësi u kthye në jetë. Pak më vonë, në ambientet e institucionit mbërriti dhe ambulanca, e cila për shkak të trafikut të rënduar të ditës së djeshme, ndikuar dhe nga reshjet e shiut, nuk mundi të arrinte dot në kohë.
Fatmirësisht, aty ndodhej administratori Florenc Spaho që duke vënë në shërbim profesionalizmin dhe njohuritë si mjek, i dha ndihmën e parë 58 vjeçarit. Më pas, ai u dërgua me ambulancë në spital për ndihmë të specializuar.
Përtej detyrës së tij si administrator, Folorenc Spaho tregoi se përgatitja profesionale dhe gatishmëria për të vepruar në një moment kritik mund të kenë një vlerë të jashtëzakonshme: të shpëtojnë jetë.
